Arsim

MASR: Regjistrimi online vetëm për shkollat e mëdha /Vazhdon regjistrimi fizik

Vendimi i Qeverisë Shqiptare se regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë do të bëhej nëpërmjet platformës e-Albania shkaktoi një pakënaqësi për organizatat e fëmijëve. CRCA Albania në një deklaratë për media e konsideroi këtë vendim si shkele të drejtës së fëmijëve për arsimim.
Gazetasi.al u interesua pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për këtë çështje dhe iu tha se regjistrimi bëhet nga e-albania për një pjesë të shkollave dhe atyre që kanë një numër të madh nxënësish, por gjithashtu nuk është hequr mundësia e regjistrimit fizik. Ministria i shpjegoi Gazeta “Si” se kjo procedurë vjet është pilotuar në pak shkolla dhe do të vijojë në rritje edhe vitin tjetër dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit(AKSHI) është duke monitoruar këtë proces.
“CRCA/ECPAT Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për këtë vendim të njëanshëm të Qeverisë, I cili shkel haptazi të drejtën e fëmijëve për arsimim, një e drejtë kjo që garantohet nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës. Për më tepër vendimi është marrë vetëm 1 ditë para hapjes së regjistrimeve në shkolla, pa një konsultim paraprak me shoqërinë civile, sindikatat e arsimit dhe shoqatat e prindërve, pa asnjë fushatë informimi nga institucionet përkatëse, gjë që ka krijuar çorientim dhe konfuzion në shumë familje,” shkruante CRCA në njoftim.
Në përllogaritjen e organizatës janë 61.445 familje në vendin tone që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Sasia e ndihmës cash që Qeveria shqiptare jep për një familje është deri në shumën 8,000 Lek, e cila e bën të pamundur për ta pajisjen me një kompjuter, smartphone apo çdo lloj teknologjie nga ku mund të regjistrohen në e-Albania.
Ndërkaq duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore pas periudhës së Covid -19, rreth 41.5% e shtetasve shqiptarëve do të jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme, me më pak se 5,5 dollarë për person në ditë. Organizata ka shkruar se rreth 3600 fëmijëve të klasës së parë anembanë Shqipërisë, mund të mbeten pa u futur në klasë të parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë