Treg

Maskat t’i qep Shqiponja në Lushnje, por nuk ka më napë në tregun me shumicë

Shqiponja Akulli është rrobaqepëse prej 25 vitesh dhe jeton në qytetin e Lushnjes.

Që prej kur ra kambana e alarmit të mungesës së maskave në shtetin fqinj, Itali, znj.Akulli e ndjeu se edhe në tregun shqiptar do të mungonin maskat aq të domosdoshme në këtë periudhë ku po luftohet dhëmbë më dhëmbë me armikun e padukshëm dhe vendosi të qepë vetë maska.

Shqiponja Akulli

Prej pak ditësh, që kur masat për lëvizshmërinë janë shtrënguar, ajo qep nga shtëpia, jo në dyqanin e saj.

Ajo tregon se është në gjendje të qepë 20 copë maska për një orë, një maskë për tre minuta.

Znj.Akulli i qep maskat në ngjyrë të bardhë dhe të zezë.

“Megjithatë unë bëj sipas porosive dhe i shes 100 lekë të reja copën. Nuk eshtë se i çoj diku, por tashmë e dinë që unë qep maska dhe më telefonojnë”, tregon Shpiponja Akulli për Gazetën “Si”.

Për të bërë maskat ajo përdor copën napë dhe thotë se maskat e saj kanë filtër mbrojtës.

Gjatë procesit të qepjes së maskave

“Provën që mbrojnë e kam bërë në këtë mënyrë; e kam zjerë, e kam hekurosur dhe prapë është në gjendje shumë të të mirë që mund të rezistojë disa ditë”- shpjegon znj. Akulli.

Më parë ajo ua dërgonte njerëzve porositë në shtëpi, por me kufizimin e theksuar të lëvizjeve, ajo njofton klientët e saj përmes llogarisë së saj në Facebook se porositë do t'u shkojnë me postë.

Shqetësimi i saj tanimë është mungesa e lëndës së parë.

“Nuk ka më në tregun me shumicë copë napë. Kjo ma vështirëson punën se nuk kam shumë gjendje. Jam interesuar edhe në tregun me shumicë në Tiranë dhe nuk ka. Do ta kenë marrë spitalet”, shpjegon znj.Akulli për Gazetën “Si”. “Përndryshe - thotë ajo - do të kisha qepur gjithë ditën maska në këtë kohë izolimi që jemi. Por do të vazhdoj të qep derisa të kem material”.

Znj.Akulli shpjegon se napa është e lirë, 100-150 lekë metri, por nuk po gjendet më.

Ajo është në dijeni se ka edhe njerëz të tjerë që kanë nisur të qepin maska në shtëpitë e tyre për nevojat personale dhe të të njohurve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë