Analize

Maska, përgjime, akuza, 3 kandidatë për Kryeministër dhe 3 ditë votime

Maqedonia e Veriut ndodhet sot në heshtje zgjedhore, nën ethet e votimeve të së mërkurës, të cilat janë të parat që pasi vendi ndërroi emrin për t'i dhënë fund një mosmarrëveshje të gjatë me Greqinë më shumë se një vit më parë.

Fushata zgjedhore ka filluar më 24 qershor dhe ka zgjatur 20 ditë, por nuk ka pasur tubime të mëdha për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Askush nuk do të lejohet të votojë nëse nuk mban maskë mbrojtëse në fytyrë. Maska mund të hiqet vetëm për identifikimin e personit që dëshiron të votojë. Votuesit janë të detyruar të mbajnë distancë 1.5 deri në 2 metra nga njëri tjetri, para ndërtesës së vendvotimit si dhe brenda tij.

Qytetarët do të duhet të dezinfektojnë duart para se të hyjnë dhe të largohen nga vendvotimi

Beteja politike është zhvilluar kryesisht në mediat tradicionale siç janë televizioni dhe radio si dhe në platformat e mediave sociale. Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video në të cilat aktorët politikë dyshohej se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion.

Partia qeverisëse, LSDM, garoi me moton "Mundemi" duke theksuar anëtarësimin e vendit në NATO si arritjen e saj, krahas stabilizimit të ekonomisë. Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, me moton "Rimëkëmbja" premtoi një standard më të mire jetese, paga më të larta, pensione, subvencione për fermerët dhe shumë projekte infrastrukturore. Partia opozitare ka folur edhe për “dëmin” që kanë shkaktuar marrëveshjet e arritura me vendet fqinje, (Greqinë dhe Bullgarinë).

Megjithatë, fushata elektorale ka qënë e pazakontë jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe pasi janë zgjedhjet e para që garon një kandidat shqiptar për kryeministër. Bashkimi Demokratik për Integrim, partia e tretë më e madhe e vendit fqinj dhe partia më e madhe shqiptare, e cila ka luajtur një rol tradicional drejtues, po kandidon me emrin e saj për kryeministër, Naser Zyberin. Pasi qendroi jashtë politikës për më shumë se 10 vjet, Naser Ziberi është rikthyer me një zhurmë si kandidati i propozuar për kryeministër i kreut të BDI-së, Ali Ahmetit. Këtë vit BDI thotë se do të kushtëzojë çdo aleancë me partitë e tjera që Ziberi të bëhet kryeministër.

 59-vjeçari, i cili ka kaluar dekadën e shkuar duke punuar si noter dhe duke dhënë komente të analistëve për shtyp, tani po lufton me kritikët që akuzojnë partinë për "shantazh".

BDI është akuzuar gjithashtu për përdorimin e tezës së kryeministrit shqiptar për të shmangur akuzat për korrupsion.

Në mbylljen e fushatës zgjedhore, Zyberi dhe Ahmeti deklaruan se BDI planifikon të shkurtojë orarin e plotë të punës nga 40 orë në javë në 36. Në programin zgjedhor të BDI-së thuhet se partia do të përpiqet që çdo e premte të punohet me orar të shkurtuar deri në mesditë, ose deri në orën 13.00, në varësi të kohës kur fillon orari i punës, në mënyrë qytetarët do të kenë më shumë kohë për veten dhe familjet e tyre.

Por, edhe pse vendimi i BDI-së për të kandiduar me Zyberin ka tronditur skenën politike,  kandidati shqiptar nuk ka qënë supriza e vetme.

Udhëheqësi socialdemokrat Zoran Zaev, i shpreson të marrë një mandat të dytë si kryeministër, është tronditur pas një publikimit të një përgjimesh, ku dëgjohej të fliste për afera korruptive dhe pasurinë e familjes së tij. Zaev e mbylli fushatën nga qyteti lindor i Strumicës, ku familja e tij është një nga prodhuesit më të mëdhenj bujqësor të vendit.

Një sërë përgjimesh të publikuara në YouTube nga burime anonime kanë tronditur fushatën zgjedhore, duke zbuluar biseda inkriminuese që përfshinin liderin social demokrat dhe zyrtarë të tjerë të partisë së tij.

Pas dhjetëra bisedave të regjistruara në fshehtësi  që implikonin figura të larta të partive në pushtet që ngjallën shumë polemika kohët e fundit në YouTube, Zaev deklaroi se kishte ngritur kallzime penale kundër publikuesve të këtyre bisedave.

Ish-kryeministri Zoran Zaev, Gazeta Si, 2020

“Kjo nuk ndodhi sepse kemi frikë nga këto biseda”, deklaroi Zaev disa ditë përpara zgjedhjeve. “Ligji parashikon që përgjimi i paligjshëm është një vepër penale, pavarësisht nëse dikush përgjon një bisedë telefonike ose regjistron një bisedë live gjatë një takimi.

Të premten, një kanal në YouTube i hapur kohët e fundit publikoi dy pjesë të shkurtra bisedash në të cilat dëgjohej një zë, që pretendohet se i përket Zaevit, duke thënë se ai është personi që ka ngritur Social Demokratët dhe se paraardhësi i tij, ish-kryeministri Branko Crvenkovski, kishte humbur të gjithë ndikimin  në politikë. Në pjesën e dytë të videos, familja e Zaev që zotëron disa biznese, dëgjohet duke thënë se ai vlen më shumë se 8 milion euro.

Këto ishin vetëm videot e fundit në të cilat ishte i përfshirë Zaev të publikuara në YouTube që kur nisi fushata për zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme më 15 korrik.

Në regjistrimet e mëparshme, të cilat Zaev i ka konfirmuar si autentike, që datojnë që përpara se ai të merrte pushtetin në mesin e vitit 2017, dëgjohet duke folur me aleatët e tij,  duke thënë se planifikon të mbledhë të gjitha forcat politike rreth tij për të rrëzuar regjimin e atëhershëm të Nikolla Gruevski.

Tri ditë zgjedhje

Zgjedhjet për përbërjen e re të parlamentit do të mbahen për tre ditë. Më 13 korrik, do të votojnë personat e infektuar me koronavirusin dhe ata që janë të izoluar për shkak të virusit. Një ditë më pas, më 14 korrik, do të votojnë të sëmurët tjerë, të burgosurit dhe personat që jetojnë në shtëpitë për të moshuar. Dita kryesore e zgjedhjeve do të jetë të mërkurën më 15 korrik. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka formuar ekipe të veçanta zgjedhore, në varësi se sa njerëz duan të votojnë. Bordi përbëhet nga tre punonjës shëndetësor, dhe përfaqësues të partive politike që kanë të drejtë të emërojnë një anëtar për të monitoruar votimin. Ata do të vizitojnë njerëz në izolim të cilët dëshirojnë të votojnë nga shtëpitë e tyre Një ditë më pas, më 14 korrik, 3.138 personat me sëmundje tjera dhe të burgosurit do të kenë të drejtë votimi.

Në Maqedoninë e Veriut janë gjashtë zona zgjedhore. Komuna me numrin më të madh të votuesve është Kumanova me 93.600 votues. Në gjithë vendin do të jenë të hapura 3.750 vendvotime.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë