Lajme

Masat për gripin dhe koronavirusin në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka raportuar  në Komisionin e Shëndetësisë masat që janë ndërmarrë nga Ministria  për sa i përket gjendjes gripale dhe koronavirusit.

Manastirliu tregoi se në kuadër të gjendja gripale në vendit tonë, janë kryer 80 mijë vaksina për personelin shëndetësor. Ministrja cilësoi se sistemi i alertit është në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur intensitetit të lartë të gripit. Ajo shpjegoi se "për momentin ne kemi një intensitet të lartë të gjendjes gripale në vendin tonë dhe janë marrë të gjitha masat për përballimin e gripit, duke përforcuar masat në qendrat shëndetësore në vend, katër prej të cilave janë hapur 24 orë (në zonën e Kombinatit, Ish bllokut, Laprakës dhe përreth Oxhakut).

Gjithashtu Ministrja tha se edhe urgjenca e QSUT ka përforcuar shërbimin duke dyfishuar personelin mjekësor, është kryer furnizimi me barna në të gjitha qendrat shëndetësore dhe spitale, ndaj siguron qytetarët që do të marrin të njëjtin shërbim në qendrat shëndetësore si në urgjencën e madhe.

Ministrja theksoi së në javën e pestë të gjendjes gripale me intensitet të lartë janë rritur sëmundjet respiratore me 23 për qind dhe në të gjithë vendin qarkullojnë viruset si AH1, AH dhe B, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar intensiteti i sëmundjeve është rritur me 4 për qind.  Përgjithësisht me infeksionet respiratore janë përcaktuar 17700 raste dhe me infeksione respiratore të poshtme janë konfirmuar 7500 raste. Gjithashtu moshat më të prekura janë: 56 për qind në moshën 60 vjeç, 16 për  qind në moshën 45-50 vjeç dhe pjesa tjetër moshat më të vogla.

Për sa i përket koronavirusit të ri që po qarkullon në botë, Ministrja ka treguar edhe një herë masat e marra duke nisur nga krijimi i task-forcës deri tek dhomat specifike të izolimit nëse do të kemi ndonjë rast të mundshëm.

"Dua që të informoj komisionin se nga ISHP janë realizuar të gjitha trajnimet për specialistë në të gjitha strukturat e kujdesit parësor.  Edhe ne spitale janë marrë masa dhe dhomat e izolimit janë funksionale nëse ka raste për të dyshuarit me koronavirus. Ka pasur  5 raste te dyshuara të cilët janë testuar dhe kanë dalë negative, duke konfirmuar kështu se deri më tani Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Ndërkohë,  shërbimi infektiv është pajisur me të gjitha mjetet e mbrojtjes personale dhe kemi një strukturë pritëse për karantinat,” shprehet Ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë