Lajme

Masat anti- Covid, Financat-bizneseve: Respektoni rregullat, mbroni jetën

Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut për periudhën 30 Prill- 6 Maj ka kryer rreth 2,000  inspektime në subjektet që janë lejuar sipas protokolleve përkatëse të ushtrojnë aktivitet në qarkun e Tiranës.

Inspektimet kanë përfshirë kategoritë të subjekteve që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve joushqimore, ushqimore dhe shërbimeve të ndryshme.

Deri më tani janë hapur 60 % e bizneseve, por një pjesë e tyre nuk kanë zbatuar me korrektësi protokollin e sigurisë anti covid-19.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Belinda Ikonomi gjatë një inspektimi në disa biznese në Tiranë bëri me dije se që nga momenti i daljes së urdhrave të pezullimit për një pjesë të aktiviteteve ekonomike rreth 60% e bizneseve kanë qenë të hapur, por duke ndjekur disa rregulla strikte për ushtrimin e aktivitetit, me qëllim mbrojtjen e punonjësve, por edhe konsumatorëve, por një pjesë e tyre nuk e kanë zbatuar protokollin e sigurisë.

“Gjatë inspektimit konstatuam se ka pasur raste kur protokolli i sigurisë nuk është zbatuar në tërësinë e tij. Në këtë rastë këshilluam biznesin, duke i orientuar ata se në rast mos zbatimit të rregullave do të duhet të përballen me penalitete, pasi nuk mund të rrezikojmë jetën e qytetarëve dhe as të kthehemi pas në mbylljen e aktiviteteve”, tha znj.Ikonomi. Gjithashtu ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që të ketë ndërgjegjësim, si nga ana e bizneseve, ashtu edhe nga ana e qytetarëve për zbatimin e masave në fuqi për të garantuar zhvillimin e duhur të aktivitetit ekonomik, si dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me strukturat e saj të varësisë dhe kryesisht me Inspektoriatin  Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut po ndërmarrin kontrolle në subjektet tregtare në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë