Ngjarja makabre e Selenicës tronditi mbarë opinionin publik. Çdo shqiptar ka reaguar dhe është prekur nga krimi monstruoz që shoi një trung familjar prej 8 personash.
Politikanët shqiptarë janë shokuar nga rasti në fjalë dhe kanë theksuar që është një ditë dramatike për të gjithë vendin, por sigurisht kanë vënë në pah edhe indiferencën e kryeministrit Rama për ngjarjen.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, nëpërmjet një postimi në “Facebook” përpos tronditjes, ka sulmuar edhe Edi Ramën duke thënë se i “vetmi që jeton në botë tjetër është kryeministri Edi Rama, që në këto momente shkruan në FB: “ju uroj një fundjavë të qetë”…
Ndërsa, zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, është shprehur se ngjarja e Selenicës është gjëma e parë, ndërsa statusi i kryeministrit Edi Rama mëngjesin e sot është gjëma e dytë. Ai thotë se kryeministrit i ka humbur dhembja si ndjesi njerëzore dhe se është barbarizimi i shpirtit njerëzor.
“Ndërmjet dy gjëmave: nga vrasësi tek Kryeministri – ç’të vajtosh më parë?!
Gjëma e parë: mbrëmë në një fshat të Selenicës së Vlorës, tetë të vrarë, një familje e shuar!
Dhe vrasësi me kallashnikov që i drejtohet Kryeministrit përmes FB “a më kap dot?”!!!
Gjëma e dytë: sot në fb e Kryeministrit, në vend të përshpirtjes (më e pakta që mund të bëjë një njeri normal!), vetëlavdime për ecurinë ekonomike, punësimin dhe bizneset e reja në vend, që pasi janë paraprirë nga një “mirëmëngjesi” me të qeshur, mbyllen me urimin “fundjavë të qetë!”, shkruan Luan Rama në rrjetin social “Facebook”.
Po ashtu kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, iu është bashkuar reagimeve për masakrën që ndodhi ditën e djeshme në fshatin Resulaj. Përmes një statusi në “Facebook”, Vasili i është ‘sulur’ kryeministrit Edi Rama, ndërsa shkruan se “i marri përqesh mortin’.
“I marri përqesh mortin!
Bashkia Selenicë shpall me shumë të drejtë ditë zie për tragjedinë e humbjes se jetës së 8 qytetarëve”, është shprehur Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.