Lajme

Marsejë, shemben dy pallate në qendër të qytetit

Dy pallate janë shembur në qendër të Marsejës ditën e sotme. Ndërtesat, janë rrëzzuar në pak orë distancë nga njëra-tjetra. Mediat franceze shkruajnë se ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për gjetjen e viktimave të mundshme apo të mbijetuarve. Bilanci i parë i autoriteteve lokale flet për dy persona të plagosur  lehtë. Sipas zjarrfikësve, në brendësi të pallateve dyshohet se ndodhen deri në 12 persona.

Ndërtesat në fjalë, posaçërisht numri 60 dhe 80, ndodhen në lagjen popullore të Noailles, pranë portit të vjetër të Marsejës. Njëra prej ndërtesave ishte e mbyllur dhe mendohet se ishte e pabanuar, ndërsa tjetra përdorej për zyra.

Sipas mediave franceze policia po përdor qentë për të kërkuar për njerëzit nën rrënoja, teksa një ndërtesë e tretë kërcënon të shembet.

“Dy ndërtesa u rrëzuan. Teorikisht, nuk duhet të ketë pasur njerëz brenda një prej ndërtesave. Një ndërtesë e dytë u rrëzua, nuk e dimë nëse ajo ishte e banuar. Pesha e dy ndërtesave kërcënon një të tretë. Zjarrfikësit po trokasin në dyer për të evakuuar banorët e kësaj ndërtese të tretë”, tha krye bashkiakja Sabine Bernasconi.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë