Politike

Marrëveshja PS-Rithemelim, Basha: Diku tjetër ‘fle lepuri’! Revolucioni i premtuar, u shit

Nga Gazeta 'Si'- Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar ashpër ndaj miratimit të marrëveshjes mes PS dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve hetimore për koncesionet në shëndetësi dhe rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS.

Në një takim me mbështetësit e PD në Kurbin, Basha tha se revolucioni i premtuar nga Rithemelimi u shit pasi bëhej fjalë vetëm për interesat personale të Berishës.

“Njëri prej të cilëve sot u njoftua që ka mbaruar hetimi dhe do komunikohen akuzat. Ndaj edhe Beqja me shokë do shkojë në burg se ka vjedhur. Këta do ngrejnë komision për të hetuar se çfarë shkeljesh administrative ka bërë. Për këtë u shit revolucioni i premtuar. Ku është revolucioni? Ku është përmbysja e Ramës? Cila është fitorja që u shet sot demokratëve të Kurbinit që i more pas vetes me premtimin se do rrëzoje Edi Ramën”– tha Basha.

Më tej ai tha se qëllimi i marrëveshjes së sotme është vijimi i marrëveshjes së 2008-ës mes Berishës dhe Ramës dhe mbajtja e mbyllur e listave të kandidatëve për deputetë.

"Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famëkeqe e kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik siç u ka lënë trashëgimi Ramiz Alia. Edhe pse kjo në këtë formë mund të vijë me një çmim shumë të lartë jo thjesht për demokratët, por për të gjithë Shqipërinë, për të gjithë Kombin me çmimin e lartë të konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës dhe rrënimit të opozitës shqiptare.

Po kaq u bën atyre që është thënë dhe me të drejtë u katapultuan pas asnjë meritë si kandidat për deputetë dhe që e kanë frikë listat e hapura, sepse kanë frikë të vijnë e të përballen me gjykimin e demokratëve, me gjykimin e qytetarëve, me votën tuaj. Frika ndaj listave të hapura i ka shtyrë drejt këtij komploti të ri ku janë prap bashkë, bashkë për t’i mbajtur listat e mbyllura, bashkë për t’i mohuar shqiptarëve barazinë e votës, bashkë për të mohuar votimin dhe numërimin elektronik që iu heq instrumentet e manipulimeve të tjera zgjedhore, bashkë për t’i mohuar votën diasporës që duan ta degdisin ose në dyert e ambasadave, ose me postë, të Postës Shqiptare, të folesë dhe çerdhes së pushtetit, në fakt ta themi troç, të çdo pushteti", deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë