Motosport

Marko kundërshton shitjen e F.1 në Arabi, pavarësisht ofertës 20 miliardë dollarë


Gazeta Si – Shefi i Red Bull-it ka komentuar ofertën nga Arabia dhe të refuzuar nga ‘Liberty Media’. Sipas tij, nuk është mirë që pronësia të ishte në një vend ndryshe nga ata ku zhvillohen pjesa më e madhe e garave.

Për Helmut Markon, një nga drejtuesit kryesorë të skuderisë kampione bote, shitja e mundshme e Formulës 1 te një fond nga Arabia Saudite nuk do të ishte diçka e mirë. Kështu e ka komentuar ai lajmin e publikuar në një raport të Bloomberg, sipas të cilit Fondi i investimeve publike (PIF) në Arabia Saudite kishte pasur bisedime me ‘Liberty Media’, pronare e F1, që ka refuzuar një ofertë 20 miliardë dollarë.

Helmut Marko, drejtues i larte i Red Bull-it. Gazeta Si, 31 janar 2023

Formula 1 nuk e ka komentuar raportin, ndërsa presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, e quajti ofertën si një "çmim të lartë”. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se blerësit e mundshëm të F.1 duhet të kenë një ‘plan të besueshëm’. Komentet e Ben Sulajem janë konsideruar ’të papranueshëm’ nga ‘Liberty Media’, që evidentoi problemin e interferimit të FIA-s në fushën e atyre që kanë të drejtat komerciale të këtij sporti.

Për gjermanen ‘RTL’, Marko ka pohuar se një ofertë 20 miliardë dollarë do të sillte të mira për F1, por ai ka theksuar gjithashtu se shitja e këtij sporti në Arabinë Saudite nuk do të ishte hap pozitiv. "Mendoj se nuk do të ishte bukur të shkonim në një vend të ndryshëm kulturalisht me atë ku zhvillohen pjesa më e madhe e garave. Është diçka tregtare dhe është më mirë të ndodhë me dikë që kënaq standardet e kompanive”, - ka thënë Marko.

Formula 1, që ka një kontratë 10-vjeçare me Arabinë Saudite, është akuzuar nga shoqatat për të drejtat e njeriut për këtë akord. Në rikthimin i F.1 në Jedah vitin e kaluar, pak muaj pasi Arabia Saudite organizoi eventin inaugural, Ljuis Hemilton, 7 herë kampion bote, u shpreh se nuk ndihej komod teksa garonte në Arabi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë