Futboll

Marash Kumbulla tek Interi në verë, zikaltrit ia rrëmbejnë Juves e Napolit

Marash Kumbulla është një premtim i madh për Kombëtaren e Shqipërisë. Ai është një nga sekretet e ecurisë së mirë të Veronës në kampionat dhe sigurisht që nuk do t’i shpëtonte syrit të klubeve më të mëdha italiane. Trajneri Juriç e vlerëson shumë dhe i ka besuar fanellën e titullarit 19-vjeçarit shkodran, ndërsa drejtori sportiv, Toni D’Amiko, e konsideroi të pashitshëm në verë. Por Verona me siguri do ta humbë shpejt mbrojtësin shqiptar, nga i cili do të ketë përfitime të konsiderueshme financiare.

Ashtu si Rrahmani dhe Amrabat, të cilët janë prenotuar nga Napoli për në verë, edhe Kumbulla do të lërë Veronën në të njëjtën periudhë, por për një klub edhe më të madh, që lufton për titullin kampion. Sipas “Sky Sport”, mbrojtësi kuqezi është prenotuar nga Interi, skuadër që duket se parapëlqehet nga vetë lojtari. Drejtuesit e klubit zikaltër kanë lëvizur dhe kanë e bllokuar mbrojtësin për sezonin e ardhshëm.

Kumbulla në dyluftim me Kristiano Ronaldon. Gazeta Si, 8 janar 2020

Mjaft elegant dhe me shumë personalitet, edhe pse është vetëm 19 vjeç, Kumbulla është tentuar më parë edhe nga Juventusi dhe Napoli, por Interi ka bërë lëvizje konkrete, duke garantuar kështu transferimin e futbollistit të talentuar në verë. Një blerje e ngjashme me atë të Bastonit për Interin, i cili u mor nga Atalanta dhe sot trajneri Konte i beson edhe formacionin. Do të ishte një lëvizje e bujshme për Kumbullën, protagonist të një sezoni mjaft të mirë. Në disa ndeshje ai mungoi për shkak të një dëmtimi, por prej disa javësh është kthyer në të njëjtin nivel. Shkodrani debtuoi me fanellën kuqezi në ndeshjen me Moldavinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë