Ne rrjet

Maqedonia miraton legalizimin e kanabisit. Zaev: Do kthehemi në superfuqi

Kryeministri Zoran Zaev po kërkon ta kthejë Maqedoninë e Veriut në një prej superfuqive të ardhshme të kanabisit në Europë. Kreu i vendit fqinj duket se i ka hedhur sytë nga marihuana për fuqizimin e ekonomisë së rrënuar, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës.

Qeveria i ka dhënë dritën jeshile projekt ligjit për legalizimin e kanabisit dhe eksportimin për arsye medicinale, duke e kthyer Maqedoninë e Veriut vendin parë në rajon për sa i përket prodhimit të kanabisit medicinal.  Ai do të bëjë të mundur që kompanitë që kultivojnë kanabis të eksportojnë të gjithë sasinë e prodhuara jashtë vendit. Tashmë  15 kompani në vendin fqinj që kanë licenca dhe ekspertizë për të kultivuar dhe prodhuar kanabis medicinal.

Por partia kryesore opozitare, VRMO DPMNE ka paralajmëruar bllokim të plotë të këtij projektligji. VMRO DPMNE akuzon se pushteti dëshiron të legalizojë, “krimin” dhe ta kthejë vendin në një burim droge. Nëse ligji në Kuvend miratohet, VMRO njoftoi bllokimin e të gjitha ligjeve.

 “Lejet për prodhimin e kanabis që u lëshuan në vitet e kaluara janë licenca për përpunimin e vajit të kanabisit dhe prodhim final për qëllime mjekësore, por jo edhe për eksport të gjethit të thatë të kanabisit, siç parashikon ky ligj. Mes këtyre kompanive prodhuese është edhe ajo e familjes Zaev", deklaroi Brane Petrushevski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.

Kryeministri Zaev thotë se legalizimi i kanabisit do ta kthejë vendin në super-fuqi rajonale dhe u ka kërkuar sipërmarrësve që të përfshihen në këtë biznes fitimprurës. Kushëriri i tij, Trajce Zaev është tashmë një nga investitorët më të mëdhenj në këtë fushë biznesi në vend, dhe më shumë nga të afërmit e Zaev po përfshihen po ashtu po në këtë sektor fitimprurës.

Maqedonia e Veriut shpreson të marrë një pjesë të shitjeve botëror të marihuanës medicinave, që në vitin 2019 i tejkalonte 9 miliardë euro. Disa vlerësime sugjerojnë që kjo shifër pritet të trefishohet gjatë tre viteve të ardhshme.

Megjithatë, pavarësisht iniciativave ekzistuese, vendi fqinj, ashtu si Shqipëria, ka po ashtu nivele të larta të përdorimit të paligjshëm të drogës. Qeveria planifikon edhe formimin e Agjencisë së Posaçme të Kanabisit e cila do jetë kompetente për kontrollimin e këtij biznesi.

Në Maqedoninë e Veriut, vaji i kanabisit dhe disa medikamente të tjera më përqendrim të lartë marihuane mund të merren në farmaci me anë të një recete mjekësore. Sipas ligjit të miratuar dy vite më parë, vetëm neurologët, radiologët, specialistët e sëmundjeve infektive dhe onkologët do të lejohen të këshillojnë përdorimin e marijuanës medicinale për pacientët.

Një raport i “Pharmout”, shoqata që lobon për legalizimin e kanabisit në botë, thotë se çmimit i ulët i produkteve të kanabisit e vendos Republikën e Maqedonisë së Veriut në pozicionin qendror të industrisë së kanabisit brenda rajonit dhe në një vend unik në tregun evropian të kanabisit.

Qëllimi për t'u bërë eksportuesi kryesor i produkteve medicinale kanabis në Europë duket të jetë edhe arsyeja e rritjes së prodhimin e kanabisit në vendin fqinj. Nuk është për t'u habitur, që nga legalizimi në shkurt 2016, industria e kanabisit në Republikën e Maqedonisë së Veriut është rritur në një vlerë prej mbi 230 milion dollarësh. Kjo shifër u trefishua brenda 3 viteve.

Përveç zgjerimit të aftësive të Republikës së Veriut të Maqedonisë për prodhimin e kanabisit, qeveria e Zaev ka krijuar edhe qendra për hulumtime klinike të kanabisit për të studiuar më tej vetitë medicinale, sigurinë dhe efikasitetin e trajtimeve me bazë kanabisi për kushte të ndryshme mjekësore.

Deri më tani, 13 vende të BE-së kanë legalizuar përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore. Vendi i parë në Ballkan që lejoi pacientët që të blejnë dhe përdorin me ligj produkte marihuanën, përpara Maqedonisë, ishte Kroacia.

Sipas “Pharmout”, vendndodhja qendrore gjeografike e Maqedonisë brenda rajonit, kushtet e saj të favorshme klimatike dhe bujqësore si dhe disponueshmëria e ekspertizës për kultivimin e kanabisit, ka shtuar numrin e përparësive që e vendosin si një udhëheqëse në industrinë e kanabisit brenda Ballkanit dhe përtej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë