Politike

“Maqedonia e Veriut”, “topi” tani në fushën e Greqisë

“Panos Kamenos do të ndryshojë qëndrim dhe do të votojë pro marrëveshjes Greqisë dhe Maqedonisë”. Ky ka qenë paralajmërimi i ish-ministres së jashtme greke Dora Bakojanis, pak pasi parlamenti i Shkupit miratoi ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit.

Ajo akuzoi kreun e partisë Grekët e Bashkuar, partnerin e vogël të koalicion qeveritar të Alexis Tsipras, se do të ndryshoje mendje pas presionit të kryeministrit, por edhe kancelares Angela Merkel, e cila vizitoi së fundmi Athinën.

"Së shpejti do të dëgjojmë një deklaratë fitimtare nga Ministri i Mbrojtjes sepse ai nuk ka zgjedhje tjetër, pasi nuk e ka partinë në anën e tij. Ai është i dëshpëruar dhe do të ndryshojë mendjen" tha Bakojanis. Pas saj edhe kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, tha se nëse Kammenos do të kishte dashur të bllokonte marrëveshjen, ai do të ishte larguar nga qeveria muaj më parë.

Ministri i Mbrojtjes nuk ka reaguar ende pas miratimit të marrëveshjes në Shkup, por ka paralajmëruar prej ditësh se nëse ky pakt mbërrin për ratifikim në parlamentin grek do të japë dorëheqjen, duke mos lejuar kështu miratimin e saj në Athinë.

Panos Kamenos

Kamenos dhe partia e tij do të kenë një rol vendimtar për miratimin e kësaj marrëveshje, pasi pa votat e tyre Tsipras nuk do ta arrinte shumicën e thjeshtë prej 151 nga 300 deputetë.

Analistët në Greqi spekullojnë se edhe nëse partia e Kamenos nuk do ta miratojë zyrtarisht marrëveshjen, disa nga deputetët e saj mund ta votojnë pro.

“Ekathimeri” shkruan se pas vizitës së Merkel edhe partitë e tjera të vogla të opozitës mund të ndihmojnë gjithashtu qeverinë të fitojë shumicën e nevojshme. Miratimi i marrëveshjes në Shkup erdhi ndërkohë që Merkel ishte në një vizite dy-ditore në Athinë. Kancelarja, një mbështetëse e madhe e paktit historik të arritur verën e shkuar mes Athinës dhe Shkupit u takua edhe me Mitsotakis për ta bindur që ta mbështetse zgjidhjen për emrin.

Tsipras ka shumicë të dobët në parlamentin grek. Në qershor të vitit 2018 ai i mbijetoi një mocion mosbesimi me vetëm 153 deputetë. Në reagimin e tij të parë, kryeministri ka përgëzuar homologun maqedonas Zoran Zaev, duke thënë se marrëveshja mes dy vendeve do t’i hapë rrugën Shkupit për anëtarësimin në NATO dhe BE.

Të mërkurën Tsipras ka bërë të ditur po ashtu se marrëveshja e emrit do të mbërrinte në parlamentin grek sapo të miratohej në Shkup. Ai premtoi se nëse parlamenti maqedonas kalon fazën përfundimtare të ndryshimeve kushtetuese, do të mblidhte parlamenti grek sapo të përfundonin formalitetet bilaterale.

Nikos Kotzias dhe Nikola Dimitrov

Një reagim edhe më optimist ishte ai i ish-ministrit të jashtëm Nikol Kotzias, një nga arkitektët e marrëveshjes së Prespës, i cili mirëpriti miratimin e saj nga Maqedonia, duke thënë se "historia duhet të jetë një shkollë dhe jo një burg".

"Unë fola me Zoran Zaev dhe ministrin Nikola Dimitrov. Kujtuam vështirësitë, lodhjen, tensionet, besimin dhe shpresat që na bënë të çonin përpara këtë marrëveshje ", tha ai në një postim në Twitter.

"Ne ëndërruam për të ardhmen e përbashkët të dy popujve. Grekët do të mirëpresin Maqedoninë e Veriut në jetën e tyre ", shtoi ai. Kotzias dha dorëheqjen pas një përplasje të ashpër me Kamenos, pjesërisht për shkak të Marrëveshjes se Prespës, pasi ky i fundit kishte lobuar kundër saj në Uashington.

Nikolla Dimitrov, ministri i Jashtëm i Maqedonisë reagoi pas deklaratës së Kotzias, duke thënë se Shkupi po “shkruante historinë” .

"Ne kemi marrë në dorë fatin tonë. Ne po bëjmë historinë duke hapur të ardhmen tonë. Ne kemi dëshmuar se mrekullitë janë të munduara”, tha Dimitrovi në një postim në Twitter. Ne demonstruam se ne jemi europianë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe në aspektin e vlerave europiane. Jam krenar që jam në anën e duhur historisë ".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë