Lajme

Maqedonasit dhe polakët preferojnë Shqipërinë për pushime

Muaji qershor ka shënuar rritje në numrin e turistëve që kanë hyrë në Shqipëri.

Sipas Institutit të Statistikave, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 496.137. Krahasuar me qershorin 2017, ky numër është rritur me 13,3 %. Në këtë muaj ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Maqedonia ka pasur rritjen më të madhe me 58,3 %, ndërsa uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Anglia me 10,9 %.

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin qershor 2018, është 912.472. Krahasuar me qershorin 2017, ky tregues rezulton me rritje 11,7 %.

Në terma të të gjashtëmujorit, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë është 1.919.504 duke u rritur me 9,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Në gjashtëmujorin e parë 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe 26,4 % .

Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi, gjatë muajit qershor 2018, janë 895.414 duke shënuar një rritje me 16,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit qershor 2018, është 411.165 krahasuar me qershor 2017, ky numër është rritur 7,8 %. Numri i shtetasve të huaj të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit qershor 2018, është 484.249. Krahasuar me Qershor 2017, ky numër është rritur 23,9 %.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në gjashtëmujorin parë 2018, është

2.396.317, duke u rritur 5,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë