Ne rrjet

Maqedonas apo shqiptar? Lufta që mban peng “Prespën”

“Lufta” për identitet duket se është bërë më e rëndësishëm se kurrë në Maqedoni, duke mbajtur prej ditësh peng Marrëveshjen e Prespës.

Kryeministri Zoran Zaev ka siguruar mbështetjen e së paku tetë deputetëve të opozitës për marrëveshjen e emrit me Greqinë, por katër deputetë të opozitës shqiptare, votat e të cilëve janë po aq të rëndësishme sa ato të opozitës maqedonase , kanë kërkuar heqjen e termit "qytetar maqedonas" nga kushtetuta, duke thënë se kjo nuk pasqyron karakterin multietnik të vendit fqinj.

Zaev duket se e gjen veten mes dy zjarresh, pasi nëse pranon këtë ndryshim, rrezikon të humbasë mbështetjen e deputetëve të opozitës, të cilët kanë kërkuar garanci të forta rreth përcaktimit të identitetit maqedonas.

Në ditën e parë e diskutimeve rreth fazës finale të ndryshimeve kushtetuese, kryeministri Zaev falënderoi partitë shqiptare dhe tetë deputetët e opozitës për mbështetjen e tyre.

“Ne jemi gjenerata që do t’i mënjanojmë problemet e vjetra”, tha kryeministri i vendit .
Bota na sheh dhe pret nga ne përgjegjësi shtetërore. Vendimi juaj pozitiv sot këtu në Kuvend i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, aty ku flamuri i Maqedonisë do të valëvitet me krenari në Bruksel bashkë me flamujt të vendeve tjera anëtare. Por gjithashtu e bën të qartë mundësinë që në qershor të hapim kapitujt e pare në bisedimet me Bashkimin Evropian, të cilat duhet t’i përmbyllim në vitin 2025”, deklaroi Zaev.

Kryeministri Zoran Zaev

Seanca e parlamentare e nëntë janarit duket se nxori në pah mungesën e shumicës prej 2/3 të deputetëve edhe pse Zaev ka paralajmëruar disa herë me radhë se ka siguruar tashmë votat e nevojshme për të kaluar ndryshimet kushtetuese.

Arsyeja pse Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët refuzojnë miratimin e kësaj marrëveshjeje, është fakti se sipas ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët do të cilësohen në pasaportat e reja si “qytetarë maqedonas të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, duke u hequr kështu identitetin e tyre, edhe pse përbëjnë gati një të tretën e popullsisë së Maqedonisë fqinje.

Ata ngulin këmbë që në pasaportat e asaj që së shpejti do të quhet Maqedonia e Veriut të hiqet fjala ‘maqedonase’ dhe që ata të quhen thjeshtë ‘qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut’. Si Besa, ashtu edhe Aleanca për Shqiptarët kërkojnë po ashtu edhe barazi në Preambulën e Kushtetutës.

Qeverisë ka njoftuar se ka pranuar disa kërkesa të Aleancës për Shqiptarët që kanë të bëjnë me preambulën, diasporën dhe tjetrën me Kosovën, e cila do të jetë zyrtarisht në Kushtetutë shteti fqinj i Maqedonisë, pasi deri tani nuk figuronte në aktin më të lartë juridik në vend.

Bilall Kasami dhe Zoran Zaev

Duke iu referuar kërkesës për heqjen e përcaktimeve etnike, Zaev u shpreh se: “Në ligjin kushtetues që është propozuar nga ana jonë shtetësia është shprehur me termin ‘qytetar i Maqedonisë së Veriut’ dhe kjo nuk nënkupton përkatësinë etnike, pasi këtu kemi të bëjmë me shtetësinë dhe jo etninë. Por, nëse vlerësojnë se ekzistojnë formulime tw tjera që t’i japim të drejtën shqiptarëve që të përcaktohen si qytetarë të Maqedonisë së Veriut , do t’i shqyrtojmë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Por deputetët e VMRO DPMNE-së që do të votonin ndryshimet kushtetuese janë të irrituar nga kërkesat e kryetarit të Besës, Bilall Kasamit dhe bënë që të mos arrihet shumica për të votuar ndryshimet kushtetuese.

Negociatat mes qeverisë dhe Besës deri të enjten mëngjes nuk ka sjellë asnjë rezultat, pavarësisht takimeve maratonë mes Zaevit dhe Kasamit.

“BESA është parimisht e vendosur për këtë çështje, siç janë edhe të tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët kërkojnë mbrojtjen e identitetit të Maqedonisë” deklaroi Zaev te enjten. “Lëvizja BESA kërkon heqjen e termit ‘qytetar maqedonas i Maqedonisë së Veriut’ që shqiptarët, turqit, serbët apo romët të mos cilësohen si maqedonas. Po kërkojnë zgjidhje teknike. Gjithsesi shtetësia është maqedonase dhe ashtu do të mbetet. Besa nuk kërkon të ndryshohet shtetësia, por etnia. Po punojmë që të gjendet zgjidhje për formulimet teknike që si shqiptarët dhe bashkësitë e tjera etnike të mos cilësohen si maqedonas”, tha Zaev në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se maqedonasit nuk duhet të frikësohen nga fakti që një parti shqiptare apo deputet shqiptar kërkon përcaktimin e identitetit të tij.

Billall Kasami

“Të gjithë angazhohemi që ky identitet të jetë i garantuar. Shqiptarët treguan se ishin aleatët tanë edhe në referendum edhe me mbështetjen për Marrëveshjen e Prespës. As ne maqedonasit nuk kemi për qëllim që të ndryshojmë një përkatësi etnike. Ato janë vlera dhe të drejta njerëzore”, tha kryeministri.

Por deklarata e tij duket se nuk ia ka dalë të “qetësojë” asnjërën nga palët, pasi ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE-së, Ljubço Georgievski u bëri thirrje deputetëve të opozitës të shkonin në parlament me qëllim që shqiptarët të mos kishin mundësi të kalonin ndryshimet kushtetuese që i kanë kërkuar qeverisë. Georgievski këshilloi partinë e tij të mëparshme se si të dëshmojë patriotizmin me mbrojtjen e identitetit maqedonas.

"VMRO-DPMNE duhet të bëhet parti shtetformuese në këtë moment. Ja, unë do të jap një këshillë të cilën nuk ia kam thënë në VMRO-DPMNE. Tani kemi shantazh nga ato dy deputetë të Besës, që të fshihet fjala ‘maqedonase’ tek shtetësia. Imagjinoni që Zaev të lëshojë pe dhe fjala maqedonase të fshihet, vetëm që të kalojë marrëveshja me Greqinë?”, pyet ai në një koment në rrjetet sociale. “VMRO-DPMNE dhe partitë tjera patriotike duhet të heshtin? Unë nuk do të isha as i lumtur dhe as krenar. Le të ia japim ne dy deputetët që i duhen Zaevit, në mënyrë që të mos rrezikojë identitetin tonë”, shton ai.

Por opozita maqedonase nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë, pasi për ta marrëveshja është e dëmshme dhe kapitulluese. Nëse ajo vazhdon të qëndrojë jashtë parlamentit, në këto kushte, kompromisi i mundshëm mund të jetë që shqiptarët të cilësohen vetëm si “shtetas të Maqedonisë së Veriut”, një vendim që mund të ketë kosto të mëdha politike për Zaev, por do të ishte triumfi më i madh i Besës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë