Futboll

Manifestim për Pavarësinë, “Tsunami democratic” rrezikon sërish “El Clasico”-n

“Tsunami Democratic”, fraksioni më radikal për Pavarësinë e Katalonjës, po organizon një manifestim masiv për datën 18 dhjetor. Qëllimi është që të pengojë zhvillimin e sfidës mes Real Madridid dhe Barcelonës, kështu që “El Clasico” është sërish në rrezik serioz. Ndeshja në fjalë ishte programuar të luhej më 26 tetor, por u shty për shkak të situatës së nxehtë politike në Katalonjë.

Me një komunikatë të shpërndarë nga “Tsunami Democratic”, pjesa më radikale dhe e dhunshme që lufton për Pavarësinë, bën thirrje për të mbledhur gjithë popullin në shesh. Komunikata është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe në përmbajtjen e saj flitet për një mobilizim total. Në këtë komunikatë përdoret termi “ftesë”, por në realitet është si një thirrje lufte për të gjithë katalanasit. “Jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e ndeshjes Barça-Real Madrid, por situata politike na detyron ta bëjmë këtë gjë. Kërkojmë të drejta thelbësore për Katalonjën. “Tsunami Democratic” fton të gjithë katalanasit të mobilizohen më 18 dhjetor në Barcelonë. Me të burgosur politikë, nuk ka normalitet. “El clasico”-n do ta luajmë të gjithë”, – shkruhet në këtë komunikatë.

Komunikata e “Tsunami Democratic” për manifestimin e 18 dhjetorit. Gazeta Si, 30 nëntor 2019

Real Madrid dhe Barcelona presin të sigurohen nga forcat e rendit për mbarëvajtjen e ndeshjes, por ende nuk e kanë marrë këtë garanci. Frika kryesore është e madrilenëve, të cilët i druhen faktit se si autobusi e ekipit do të shkojë në “Camp Nou”, kur në qytet do të ketë protesta të dhunshme. Po shihen të gjitha mundësitë dhe plani paraprak është që Reali të akomodohet në hotelin më të afërt me stadiumin, por grupet radikale katalanase përbëjnë gjithsesi një rrezik konkret. Në këto kushte, ashtu si më 26 tetor, sfida që tërheq pas vetes gjithë botën, është në rrezik serioz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë