Sadio Mane është fituesi i “Topit të artë“ afrikan për vitin 2019. Sulmuesi i Liverpulit është shpallur lojtari i vitit për Afrikën, duke lënë pas shokun e skuadrës, egjiptianin Mohamed Salah dhe algjerianin e Mançester Sitit, Rijad Mahrez. Një vlerësim plotësisht i merituar për Mane, i cili ka bërë një sezon të shkëlqyer me Liverpulin, duke u shpallur kampion i Europës.
Sulmuesi i “të kuqve” është senegalezi i dytë në histori që fiton çmimin e futbollistit më të mirë të Afrikës, pas ish-sulmuesit El Haxhi Diouf, i cili është shpallur dy herë fitues për kontinentin e zi në vitet 2001 dhe 2002. Mane mbyll kështu në mënyrën më të mirë në aspektin individual një 2019 fantastike. Ai ka qenë protagonist absolut me Liverpulin në fitimin e Champions League dhe të Botërorit të klubeve.
Kur doli në skenë për të marrë çmimin, Mane ka shprehur emocionet e tij dhe ka pasur një falënderim të veçantë. “Jam shumë i lumtur dhe krenar që fitoj këtë çmim. E adhuroj futbollin dhe gjithçka lidhet me të, jam mjaft i lumtur që ndodhem këtu mes jush. Ua dedikoj këtë vlerësim familjes sime, shokëve të skuadër dhe trajnerit Jurgen Klop. Është një ditë e madhe për karrierën time. Doja të falënderoja gjithë senegalezët që më kanë mbështetur gjatë rrugëtimit tim. Jam i lumtur, sepse ata do të jenë shumë të kënaqur teksa më shohin që po fitoj këtë çmim. Falënderoj veçanërisht bashkfshatërët e mi, të cilëve u kisha premtuar se do të fitoja çmimin e lojtarit më të mirë. Nuk mund ta përshkruaj gëzimin tim. Ju falënderoj të gjithëve!” – ka thënë Sadio Mane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.