Futboll

Mançini: Shtyrja e Europianit favorizon Italinë, Lacio jo si në kohën time

"Për Italinë, shtyrja e Europianit vitin tjetër është më mirë nga ana sportive. Kemi një skuadër të re dhe mund të përmirësohemi”, - thotë trajneri i Italisë, Roberto Mançini, për ”Sky Sport”. Më tej ai vazhdon: "Nëse do të luanim në qershor, nuk do të ishim në 100-shin tonë. Ka skuadra më të përgatitura se ne. Italia ka nevojë për më shumë ndeshje, sepse ka rinovuar organikën, ndërkohë që ka kundërshtarë të afirmuar, siç është për shembull Franca. Djemtë kanë një vit kohë për të fituar më shumë eksperiencë".

"Për kualitetin që ka, Baloteli është ndoshta një ndër sulmuesit më të mirë, por nuk mjafton vetëm kjo. Ai nuk ka bërë mjaftueshëm dhe duhet të punojë fort për të qenë ën formë optimale. Shpresat janë që të arrijë 100-shin, si në Europianin e 2012-ës, apo kur luante për Interin dhe Mançester Sitin”, - ka thënë Mançini për sulmuesin e Breshias.

"Jemi mirë në të gjithë repartet. Mund të gjejmë një sulmues tjetër që të luajë pas Imobiles dhe Belotit, me cilësi të tjera. Xaniolo sulmues? Së pari shpresoj që të rikuperohet, ka kohë përpara, është i ri dhe mund të përmirësohet teknikisht dhe taktikisht. Mund të mbulojë shumë role, por nuk e shoh si një 9. Shpresoj që edhe Kean të luajë më shumë dhe të rritet. Espozito? Më pëlqen, ka luajtur në Champions në moshë të re dhe mund të rritet. Kemi edhe të rinj të tjerë interesantë”, - vazhdon trajneri i Italisë.

Mançini, kur luante me Lacion. Gazeta Si, 7 prill 2020

Në fund një mendim edhe për titullin kampion në Serinë A: "Situata është anormale dhe vështirë të parashikosh çfarë do të ndodhë kur të rinisë gara. Juventusi mbetet skuadra me më shumë kualitet dhe është e favorizuar. Lacio? Ka tre-katër futbollistë shumë të mirë. Në vitin 2000, kur fituam titullin me këtë ekip, kishim shumë potencial. Ishim shumë të fortë dhe mund të fitonim më shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë