Futboll

Mançesteri një tmerr, Ferdinand: Fëmijët s’do veshin më fanellën tonë

Krizë e thellë, humbja e radhës në “Old Trafford” ndaj një kundërshtari si Bërnli, trajneri Solsjaker është shumë pranë shkarkimit: Mançester Junajtid është çështja e ditës për shtypin sportiv në Angli. Një nga klubet më të mëdha jo vetëm të Premier League, por edhe në Europë, po përjeton një nga momentet më të errëta të historisë, pavarësisht se shpenzimet janë në shifra shumë të larta.

Pas humbjes së fundit kanë shpërthyer sërish tifozët, por edhe disa nga lojtarët legendarë të “Djajve të kuq”. Ndër më kritikët ka qenë ish-mbrojtësi Rio Ferdinand, aktualisht analist televiziv. “Është një situatë shumë e turpshme. Është një tmerr i vërtetë të shohësh këtë Mançester në fushë. Mendoj se fëmijët nuk do ta veshin më fanellën e Mançester Junajtid”, - ka theksuar Ferdinand, duke kritikuar lojtarët, stafin teknik dhe drejtuesit e klubit. Mançesteri po vuan prej vitesh një krizë rezultatesh, duke mbetur nën hijen e Liverpulit, Mançester Sitit, Totenhemit, apo edhe Çelsit e Arsenalit.

Faqja e parë e "Mirror Sport". Gazeta Si, 23 janar 2020

Ndryshimet në stol nuk kanë sjellë asnjë rezultat, faturat financiare janë nga më të lartat, megjithatë Mançesteri po shkon keq e më keq. Zgjatja e kësaj krize të thellë ka bërë që të humbë durimi i tifozëve dhe ish-lojtarëve, të cilët kanë shpërthyer në akuza për mënyrën si po drejtohet klubi, por tmerri vazhdon dhe një tjetër ndryshim në stol duket i pashmangshëm. Norvegjezit Solskjaer i ka ikur situata nga duart dhe i ka orët të numëruara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë