Futboll

Mançesteri ndal vrapin e Liverpulit, i bën një nder “kushërinjve”

Seria e fitoreve të Liverpulit në kampionat është ndalur në “Old Trafford”, nga Mançester Junajtid, me barazimin 1-1. Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop kanë marrë një pikë në këtë sfidë mjaft të fortë, falë një goli të realizuar nga Adam Lalana 5 minuta para fundit. Markus Rashford kishte shënuar për “Djajtë e kuq” në pjesën e parë.

Liverpuli vuajti jo pak për të barazuar në këtë ndeshje, ndaj një kundërshtari mjaft agresiv. Sulmuesit Sadio Mane iu anulua një gol nga VAR-i, për prekjet të topit me dorë. Gjithsesi, kryesuesit e Premier League ia dolën të shmangnin humbjen në këtë transfertë dhe pas 9 javësh kampionat regjistrojnë 8 fitore dhe 1 barazim. Në vend të dytë vjen Mançester Siti rival, që ka 6 pikë më pak, pasi skuadra e trajnerit Guardiola ka bërë jo pak gabime në këtë fillim të sezonit.

Një dyluftim nga ndeshja Mançester Junajtid-Liverpul, 1-1. Gazeta Si, 20 tetor 2019

Mançester Junajtid u ka bërë kështu edhe një nder “kushërinjve” të Sitit, duke mos e lejuar Liverpulin të shkëputej më shumë pikë. Nga ana tjetër, “Djajtë e kuq” nuk po arrijnë të fitojnë dhe mbeten shumë larg kreut, në vend të 13-të me 10 pikë. Një nisje shumë e dobët, që ka vënë në diskutim pozitat e trajnerit Solskjaer. Titulli edhe këtë sezon do të jetë një duel mes Liverpulit dhe Mançester Sitit, me skuadrën e Klop që duket më e favorizuar në këto javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë