Politike

Manastirliu: Brenda 20 ditëve ngrejmë spital karantinë për rastet jo të rënda

Në Shqipëri do të ngrihet një spital karantinë për përballimin e rasteve jo të rënda të kroronvirusit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dhënë këtë lajm gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar online, duke theksuar se struktura e re nis të përshtatet brenda 20 ditëve. Sipas saj, ky spital konsiderohet skenar i katërt në rendin e skenareve të projektuara.
Ministrja deklaroi se është bërë një vlerësim për një objekt që po shqyrtohet për ta kthyer në një strukturë spitalore bazë për ata pacientë të cilët do të kenë nevoja të trajtimit jo specialistik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha po bëhen të gjitha vlerësimet për të pasur një strukturë tjetër që do të rehabilitohet për të ofruar shërbim për pacientët e prekur me COVID-19, nëse tejkalohen skenaret e parashikuar.
“Kemi bërë sot një investigim në vendin ku mendojmë dhe besojmë të jetë ky objekt i cili do t’i nënshtrohet edhe një rehabilitimi dhe më pas edhe një plotësimi të nevojave bazë, me mobilimin spitalor dhe me aparaturat bazike që ne vlerësojmë për të pasur së afërmi dhe për të përballuar fluksin për ata pacientë që nuk do të jenë në gjendje të rëndë”, tha Manastirliu.

Gjithashtu ministrja ka folur me shifra konkrete për mjetet mbrojtëse për personelin mjekësor. Në mbledhjen online të qeverisë, Manastirliu tha se këto pajisje janë blerë në Turqi, nga qeveria shqiptare.  Ajo tha se vetëm sot janë shpërndarë 80 mijë elementë mbrojtës për personelin mjekësor, ndërsa në ditët në vazhdim priten edhe furnizime të tjera. "Presim që në ditët vazhdim të kemi 167 mijë maska në dispozicion, 167 mijë veshje të padepërtueshme, dorëza, më shumë se 80 mijë tyvek, 30 mijë syze mbrojtëse, ekrane mbrojtëse, dezinfektonte kaq të nevojshëm për të krijuar siguri dhe barrierë mbrojtëse ndaj virusit. Pra ne jo vetëm që kemi krijuar mundësinë për të rritur stokun, por do të vazhdojmë me këtë kanal komunikimi për të krijuar dhe për të mbështetur akoma më shumë mjekët dhe infermierët", theksoi Maaistirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë