Futboll

Manajt i buzëqesh fati, Barcelona e përfshin në listë ndaj Getafes

Më në fund, emri i Rei Manajt figuron në listën zyrtare të trajnerit Kike Setien për ndeshjen e së shtunës me Gatafen. Sulmuesi i Kombëtares është përfshirë për herë të parë në 18-shen e katalanasve për një ndeshje zyrtare dhe ky sigurisht që është një moment special për futbollistin lushnjar.

Barcelona pret në “Kamp Nou” Getafen e vendit të tretë dhe për Manajn do të ishte realizim i një ëndrre sikur të luante qoftë edhe një minutë në stadiumin mitik. Në fakt, sulmuesit kuqezi i ka buzëqeshur fati, sepse në këtë moment Barcelona ka probleme në sulm, pas dëmtimit të Luis Suarezit dhe Osman Dembelesë. Po ashtu, është dëmtuar edhe një nga sulmuesit e rinj të klubit dhe i ka takuar Manajt të jetë në listën e trajnerit Setien për ndeshjen e radhës.

Lista zyrtare e Barcelonës ndaj Getafes. Gazeta Si, 14 shkurt 2020

Në listën e katalanasve në sulm janë Lionel Mesi, Antuan Grizman dhe Ansu Fati, ndërsa sulmuesi i katërt është Rei Manaj. Ai kaloi pak kohë më parë nga Albacete te Barcelona B, por po stërvitet me ekipin e parë prej disa ditësh. Tashmë ka ardhur edhe momenti për të qenë zyrtarisht në 18-shen e Barcelonës së madhe. Nëse do t’i jepet mundësia të luajë nesër, do të ishte edhe më bukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë