Futboll

Man Utd prezanton “Old Traford”-in e ri

Një stadium ikonë që do të kushtojë 2 miliardë paundë dhe do të presë  100.000 tifozë. E thënë ndryshe, “Red Devils planifikojnë të ndërtojnë stadiumin më të madh në Mbretërinë e Bashkuar, pranë aktualit “Old Traford”. Bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe u shpreh se ai donte të ndërtonte stadiumin më të madh në Botë për të cilin shpreson të jetë gati në 5 vitet e ardhshme. Aktuali “Old Trafford” është shtëpia e Manchester United prej vitit 1910. Arkitektët e “Foster & Partners” që kanë dizenjuar projektin thanë se impjanti i ri do të mbulohet nga një cadër gjigande dhe do të ketë një shesh publik, dy herë më të madh se “Trafalgar Square”. Projekti do të përfshijë tre direkë gjigandë që përkufizohen si “tridenti”. 

Spoti prezantues i stadiumit të ri nga Manchester United

Ata do të jenë 200 metra të lartë dhe do të duken nga 40 kilometra larg. Tridenti personifikon sfurkun, pjesë e logos së Manchester United që aktualisht ka një borxh prej 1 miliardë paundësh dhe nuk ka zbuluar mënyrën e pagesës për ndërtimin e stadiumit të ri. Projekti do të rijetëzojë tërë zonën Old Trafford duke premtuar të jetë më i madhi në Mbretërinë e Bashkuar pas atij në zonën Stratford që pësoi ndryshime rrënjësore me ndërtimin e stadiumit Olimpik për Lojërat e vitit 2012 në Londër. Drejtuesit e United thanë se ky projekt ka potencialin e krijimit të 92.000 vendeve të reja të punës, ndërtimit të 17.000 shtëpive dhe do të shtojë me 1.8 milionë në vit, numrin e vizitorëve në zonë. Ndërsa për ekonominë britanike do të thotë 7.3 miliardë paundë më shumë në vit. Stadiumi do të ndërtohet me elementë të parafabrikuar që do të transportohen në 160 komponentë. 

“Old Trafford” i ri do të presë 100.000 tifozë nga sezoni 2030-2031

I vjetri “Old Trafford” me një kapacitet prej 74.140 shikuesish ka qënë pre e kritikave në vitet e fundit dhe nuk pëson rinovim prej vitit 2006. Për realizimin e projektit të ri janë përfsirë figura të njohura që kanë marrë pjesë në realizimin e “SoFi Stadium” në Los Angeles apo dhe rindërtimin e “Santiago Bernabeu”-t në Madrid. Klubi ka zhvilluar dëgjesa publike me rezidentët lokalë dhe kryer sondazhe me tifozët nëse preferonin rindërtimin e stadiumit aktual (që do të kushtonte 1.5 miliardë paundë) apo një stadium të ri. “Foster & Partners” dizenjoi të riun “Wembley Stadium” që hapi dyert në vitin 2007 dhe “Lusail Stadium”që priti Finalen e “Qatar 2022 World Cup”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë