Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi në një dalje për mediat bëri thirrje për protesta masive nga opozita dhe shoqëria civile deri në rrëzimin e qeverisë.
“Gjithë kjo konferencë është për një thirrje të ndërgjegjes të shqiptarëve, të shoqërisë civile, të opozitës, të artistëve, të mediave për një ngritje të fuqishme me protesta të vazhdueshme pa ndërprerje. Revolucion demokratik deri në rrëzimin e kësaj klase politike, kësaj rilindje të lidhur me krimin, korrupsionin dhe bandat”, deklaroi deputeti i opozitës.
Maliqi e cilësoi 2019 ishte viti më i zi, pasi është nxitur krimi dhe njerëzit janë larguar. “Këtu është vrarë truri, këtu drejton mafia, krimi, bandat. Këtu emërohen deputetë dhe kryebashkiakë të lidhur me krimin, emërohen drejtorë të përgjithshëm të lidhur me krimin. Përgjimet e Bild treguan fytyrën e zezë të qeverisë”, theksoi Maliqi.
Sipas tij, deputetët e opozitës janë të kapur dhe komandohen nga kryeministri dhe kryetari grupit parlamentar të PS-së dhe se vetëm 4-5 prej tyre kundërshtojnë.
“Nëse në 2020 nuk ka zgjedhje të parakohshme lokale dhe qendrore, atëherë demokracia është në rrezik dhe jemi drejt kthimit siç është Turqia, siç është Rusia ku opozita do të jetë mbi 10-20 vjet e dobët dhe falso. Shpresoj dhe besoj që Presidenti do të kthejë për shqyrtim ligjin antishpifje për mediat. Të kthejë këtë ligj dhe atë ditë që do të kthehet ligji, opozita dhe shoqëria civile të ngrihen para parlamentit. Edhe policët janë të ndershëm dhe me popullin, por thjesht janë nën presionin e vettingut. Duhet të ngrihemi të gjithë, o sot o kurrë, ndryshe fatet e vendit janë në rrezik”, theksoi Maliqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.