Bota

“Mali i Zi duhet të bashkohet me Serbinë dhe Republikën Srpska”… Podgorica reagon ashpër

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik tha të shtunën se serbët në këtë shekull duhet “të formojnë një shtet të vetëm, të përbërë nga Serbia, Republika Sërpska dhe Mali i Zi, nëpërmjet mjeteve demokratike dhe masave politike, jo përmes luftës dhe t’ua lënë atë brezave të ardhshëm”.

Pas kësaj deklarate, Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi ka reaguar ashpër duke thënë “Mali i Zi është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i NATO-s, i fokusuar në të ardhmen evropiane, dhe jo në ide që i përkasin të kaluarës”.

“Si shtet civil, laik dhe multietnik, ne jemi të përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë që duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë për sovranitetin dhe integritetin territorial, vlerat themelore dhe angazhimet e politikës së jashtme, sepse vetëm një fqinjësi e qëndrueshme mund t’i sjellë prosperitet shtetet tona dhe rajoni në tërësi”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme malazeze.

“Nuk është hera e parë që Mali i Zi bëhet objekt komentesh të papërshtatshme dhe të papranueshme për qëllime të situatave politike lokale në rajon dhe/ose me qëllim të cenimit të qëllimshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, perspektivën evropiane dhe sigurinë e rajonit, prandaj i bëjmë thirrje zotit Dodik që të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të sillet politikisht dhe me përgjegjësi shtetërore, në frymën e marrëdhënieve miqësore, siç ushqehen nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina”, tha Ministria e Jashtme në Podgoricë. Sipas saj, i vetmi bashkim në të cilin Dodik mund të gjendet sëbashku me Malin e Zi në të ardhmen, është ai evropian. /Telegraf


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë