Muzike

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tërhiqen nga Eurovizion, Shqipëria penalizohet nga pikët e fqinjëve

Nga Gazeta Si - Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë vendosur të tërhiqen nga Eurovision 2023, finalja e të cilit do të mbahet në Liverpool.

Vendimin e tyre fillimisht e ka bërë të ditur BBC, ku thuhet që një ndër arsyet janë kostot e larta që priten për të marrë pjesë në këtë kompeticion muzikor.

Transmetuesit duhet të paguajnë një tarifë për të marrë pjesë në Eurovision Song Contest 2023 dhe tarifa do të ndryshojë sipas madhësisë së vendit. Madje disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë, pasi Rusia u ndalua nga konkursi.

Rusia, në fakt, nuk u lejua të merrte pjesë në këtë kompeticion, pasi pushtoi Ukrainën.

Arsyet e Malit të Zi dhe Maqedonisë

Një zëdhënës i televizionit publik të Malit të Zi, RTCG, ka bërë me dije arsyet që e shtynë vendin të tërhiqej nga Eurovision Song Contest 2023: “Kostove të konsiderueshme të parashikuara nga tarifat e regjistrimit, i shtohen edhe kostot për shkak të qëndrimit në Britaninë e Madhe, u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm të drejtonim burimet ekzistuese për të financuar projektet kombëtare në vazhdim dhe të planifikuara”.

Ndërkohë, televizioni maqedonas MRT në një deklaratë tha se “rritja e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrje”, si dhe kriza energjetike në Maqedoninë e Veriut i detyroi ata të marrin vendimin.

Tërheqja e këtyre dy shteteve duket se do të penalizojë edhe vendin tonë, pasi në një kompeticion të tillë gjatë votimit të jurive profesioniste, më shumë se muzika dominon politika e fqinjësisë së mirë.

Ndaj pa diskutim pikët e vendeve fqinje, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj, luajnë një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.

Kostoja totale

Kostoja totale për të gjithë transmetuesit e përfshirë për të hyrë zakonisht shkon deri në rreth 5 milionë paund, por saktësisht se sa paguan secili pjesëmarrës nuk bëhet publike.

Kuptohet që edhe disa vende të tjera mund të tërhiqen si rezultat i kostos shtesë.

Midis 8 dhe 17 milionë paund pritet të paguhet nga BBC për të organizuar festivalin, në emër të Ukrainës, në Liverpool në maj 2023.

Eurovision 2023 do të mbahet në Liverpool, Angli

Pas triumfit të këngës “Stefania”, nga grupi ukrainas Kalush Orkestra, për fat të keq Ukraina nuk ishte në gjendje të organizonte eventin. Lufta që po gjunjëzon popullin ukrainas, nuk e lejoi vendin për të festuar denjësisht fitoren e tyre. Eurovizion do të mbahet në Britaninë e Madhe, pikërisht në Liverpool. Sidoqoftë, gjatë finales së Eurovizion 2023, kultura ukrainase do të nderohet dhe manifestohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë