Lajme

Mali i Zepës në flakë, 90% e sipërfaqes është e parikuperueshme

Mali i Zepës është  përfshirë nga flakët në datën 13 maj. Lajmi është bërë i ditur nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyrore në Shqipëri (PPNEA), e cila nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” thotë se zjarri ishte i qëllimshëm

“Pas procesit të monitorimit dhe vlerësimit në terren, ekspertët e PPNEA dolën në të njejtin përfundim me banorët e intervistuar se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, por ende nuk disponohen të dhëna mbi shkaqet e këtij veprimi.Dëmet e shkaktuara nga zjarrvënia janë të konsiderueshme, duke përfshirë një sipërfaqe pyjore prej 500 hektarësh të përzier me pishë të zezë (Pinus nigra), hartinë (Pinus sylvestris), bredh të bardhë (Abies alba), dushk (Quercus sp.) dhe ah (Fagus sylvatica),” shkruhet në postimin e organizatës.

https://www.facebook.com/ppnea/posts/3071941352852519

Gjithashtu PPNEA ka shkruar se zjarri ka shkaktuar një dëm kolosat dhe vetëm 10% e sipërfaqes së djegur mund të rigjenerohet, ndërsa pjesa tjetër është e parikuperueshme.

Në postim thuhet se përgjatë përpjekjeve disavjeçare të organizatës për shpalljen e rajonit të Munellës si zonë të mbrojtur, ka lobuar gjerësisht mbi rëndësinë e kësaj zone si habitati kryesor i Rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri.

“Zjarrvënia në fjalë ka ndodhur midis dy nënzonimeve, një qendrore dhe tjetra zonë zhvillimi të qëndrueshëm, çfarë do të thotë se habitati kryesor e Rrëqebullit të Ballkanit është dëmtuar në mënyrë kritike. PPNEA i bën thirrje autoriteteve qendrore si dhe atyre lokale për një menaxhim më të mirë të hapësirës në fjalë, duke i dhënë vëmendjen e merituar, me qëllim evitimin e ndodhive me impakt negativ si kjo që jemi duke dëshmuar,” shkruhet më tej në postim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë