Motosport

Maks Vershtapen triumfon edhe në Austri, shkëputet nga Hemiltoni

Një tjetër shuplakë për Mercedesin, që nuk ka ndërmend ta dorëzojë kurorën, por tashmë ka filluar të dridhet. Në “A1 Ring” të Zeltveg, Maks Vershtapen dhe Red Bull-i kanë siguruar një tjetër sukses pas atij të Francës. Edhe 6 pikë të tjera të fituara ndaj Ljuis Hemiltonit dhe tani, pas 8 garash, diferenca rritet në 18.

Të dielën e ardhshme garohet sërish në këtë pistë, me perspektivën konkrete për bis nga holandezi. Në pod janë ngjitur edhe dy makinat Mercedes, Hemilton dhe Botas, ndërsa Serxhio Perez u rendit i katërti. Vendi i gjashtë dhe i shtatë për dy Ferrarit e Sainz dhe Leklerk, pas MekLarenit të Lando Norris.

Starti ishte i shkëlqyer për Vershtapen që e mbylli Hemiltonin. Probleme pati në start Leklerk, që preku makinën e Gaslit dhe që të dy u kthyen në bokse për të riparuar disa pjesë. Vershtapen dhe Hemilton në krye u shkëputën 15 sekonda nga Perez, ndërsa mes të dyve kishte 3 sekonda diferencë, me holandezin përpara kampionit të botës.

Leklerk me goma të forta arriti të rikuperonte disa pozicione. Vershtapen u kthye në bokse në xhiron e 30-të, një xhiro pas Hemiltonit, dhe u kthye në pistë sërish para anglezit. Piloti holandez vazhdoi ta kontrollonte mirë rivalin. Në xhiron e 55-të Red Bull-i thirri në bokse Perezin për t’i vendosur goma të freskëta, për të tentuar xhiron më të shpejtë që vlen një pikë. Dhe Perez ishte më i shpejti në dy xhirot pasardhëse. Por të nëjjtën gjë bëri Mercedesi me Hemiltonin në xhiron e 70-të dhe anglezi fitoi edhe 1 pikë, pasi kaloi flamurin me kuadrate, që Vershtapen e kaloi i pari.

Klasifikimi i pilotëve:

  1. Max Verstappen (Ola) 156 pikë
  2. Leëis Hamilton (GB) 138
  3. Sergio Pérez (MES) 96
  4. Lando Norris (GB) 86
  5. Valtteri Bottas (FIN) 74
  6. Charles Leclerc (MON) 58
  7. Carlos Sainz Jr (SPA) 50
  8. Pierre Gasly (FRA) 37
  9. Daniel Riçiardo (AUS) 34
  10. Sebastian Vettel (GER) 30
  11. Fernando Alonso (SPA) 19
  12. Lance Stroll (CAN) 14
  13. Esteban Ocon (FRA) 12
  14. Yuki Tsunoda (GIA) 9
  15. Kimi Räikkönen (FIN) 1
  16. Antonio Giovinazzi (ITA) 1

Klasifikimi i kostruktorëve

  1. Red Bull-Honda 252 pikë
  2. Mercedes 212
  3. McLaren-Mercedes 120
  4. Ferrari 108
  5. AlphaTauri-Honda 46
  6. Aston Martin-Mercedes 44
  7. Alpine-Renault 31
  8. Alfa Romeo Racing-Ferrari 2

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë