Motosport

Maks Vershtapen te Mercedesi? Krisja pas çështjes Horner hap skenare të reja në F.1

Gazeta Si – Më shumë se një çështje mediatike, ajo që lidhet me Kristian Horner dhe Red Bull-in duket se ka edhe prapaskena, që mund të kenë ndikim direkt në Formula 1. Duket se ka një krisje brenda skuderisë kampione bote, që është konfirmuar nga fjalët e Jos Vershtapen, babait të Maks Vershtapen.

Maks Vershtapen, kampioni ne fuqi i Formula 1. Gazeta Si, 6 mars 2024

Për ‘Daily Mail’ pas garës së Bahrejnit, babai i kampionit të botës foli pa filtra për ambientin te Red Bull, duke dalë hapur kundër drejtuesit kryesor Horner. Po atë mbrëmje ai është fotografuar me Toto Volf, drejtuesin e Mercedesit, edhe pse të dy nuk kanë folur për muaj të tërë pas tensionit të 2021-shi. Fakte këto që hapin dyert e skenarëve të mundshëm. Maks Vershtapen mund të lërë Milton Keynes për të kaluar te Mercedesi?

Edhe fitorja e dyfishtë e Red Bull-it në Sakhir nuk i ka qetësuar shpirtrat te kjo skuderi dhe në vazhdim çdo gjë mund të ndodhë. Takimi i Toto Volf me Jos Vershtapoen lë dyshime, edhe pse nëse do të ishte një takim për një bashkëpunim mes pilotit kampion dhe skuderisë gjermane, do të ishte shumë i fshehtë. Dhe jo pa qëllim Volf buzëqeshi para telekamerave.

E sigurt është se krisja është reale, pasi skuderia Red Bull ka dyshime se informacionet për çështjen Horner janë dhënë nga ‘shtëpia’ e Vershtapen. Dhe teksa Maks Vershtapen minimizonte tensionet para telekamerave, babai i tij nuk ka bërë të njëjtën gjë.

Ditët në vazhdim me siguri do të ketë detaje të reja, që lënë vend për aludime për një kalim të mundshëm të tri herë kampionit të botës te Mercedesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë