Motosport

Maks Vershtapen i pakapshëm në Barcelonë, dy Mercedesët plotësojnë podin

Gazeta Si – Kampioni në fuqi i botës udhëhoqi garën e Spanjës nga semafori deri në finish. Ferrari në vend të 5-të me Sainz, Leklerk jashtë zonës së pikëve.

Maks Vershtapen ka shtuar edhe një perlë tjetër në gjerdanin e tij të fitoreve të 2023-shit, duke përsëritur suksesin e vitit të kaluar në Spanjë. Ishte një garim gati në perfeksion, që i ka sjellë holandezit fitoren numër 40 në karrierë, vetëm 1 fitore larg Airton Senës.

Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll kanë plotësuar podin me vendin e dytë dhe të tretë. Pas tyre makina tjetër Red Bull e Serxho Perez. Në pistën e shtëpisë, Karlos Sainz duhet të kënaqet me vendin e 5-të, duke lënë pas dy makinat Aston Martin të Lens Stroll dhe Fernando Alonso. Vendi i 12-të për ferraristin tjetër, Sharl Leklerk, autor i një gare anonime.

Sainz provoi ta sulmonte Vershtapenin që në start, por nuk mundi ta kalonte. Holandezi e kontrolloi mirë garën, duke krijuar edhe shkëputje dhe pas futjes në bokse arriti sërish ta ruante kryesimin. Hemilton i rrëmbeu vendin e dytë Sainzit, që më pas u kalua edhe nga Rasëll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë