Biznes

Makina me qira, biznesi që po u leverdis shqiptarëve

Të marrësh një makinë me qira në Shqipëri nuk është më luks si dikur. Madje mund të jetë më e leverdisshme nëse mpreh lapsin e bën lmirë logaritë. Ky treg ka lulëzuar së fundmi, mes përpjekjeve të kompanive për të ofruar çmime sa më të favorshme dhe garës për më shumë komoditet.  

Disa nga kompanitë kryesore në treg pohojnë se të marrësh një makinë me qira ka disa përfitime më shumë se një makinë personale dhe sipas tyre, shqiptarët po fillojnë gjithnjë e më shumë të marrin këtë lloj shërbimi.

Kompanitë rendisin si përfitim kryesor faktin se të përfshira në çmim janë amortizimi i automjetit, taksat vjetore të tij, leja ndërkombëtare, shërbimet periodike dhe siguracioni i plotë (TPL dhe Kasko) që në rrethana të tjera do të “peshonin në kurriz” të vetë individit.

Vetë çmimi që kanë makinat me qira është një ndër përfitimet më të rëndësishme sipas aktorëve kryesorë në treg dhe një nga arsyet se përse është më e vlefshme të përdorësh një shërbim të tillë në vend të të pasurit një makinë.

Ai bëhet gjithnjë e më i lirë në varësi të ditëve që qytetari zgjedh ta mbajë makinën.

Pra, nëse qiraja ditore e një makine të tillë në Shqipëri është 20 mijë lekë, ky çmim ulet me rreth 60% nëse merret për më shumë se 15 ditë.

Të gjitha këto përfitime  janë përkthyer në zgjerimin e flotës së kompanive ku një prej tyre, “Enterprise Albania shpk”, tregon se ndryshe nga viti 2009 kur nisi këtë biznes me shumë pak makina në zotërim, sot numëron rreth 600 të tilla.

Rezervimet për makinat me qira përpara se të godiste pandemia ishin në ritme shumë të larta, sidomos gjatë periudhës së verës.

Dy kompani pranuan për Gazetën “Si” se janë pikërisht emigrantët dhe turistët e huaj kontingjenti më i mirë që sjell fitimet më të mëdha për ta.

Vitet më të favorshme për kompanitë e makinave me qira kanë nisur që nga 2016-a sipas bilanceve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit(QKR) deri në vitin 2020 kur aktiviteti deri tani në rritje, e ndali vrullin e tij për shkak të pandemisë.

Kompania “Avis Albania”, një ndër më të mëdhatë në treg, tregoi për Gazetën “Si” se ndër vite, turistët e huaj janë klientët më potencialë për të marrë këtë shërbim dhe kryesisht ata me nacionalitet italianë, gjermanë, francezë dhe izraelitë.

Si thuajse për të gjithë kompanitë e tjera, edhe “Avis” e ka ritmin më të madh të punës gjatë muajve të verës kur fluksi i emigrantëve është më i lartë por ndryshe nga vitet e mëparshme, pandemia ka ulur drastikisht rezervimet edhe për këtë kompani.

Pavarësisht se të huajt e mbajnë këtë biznes, kompanitë na treguan që edhe shqiptarët kanë nisur me ritme të larta që të marrin shërbimin e një makine me qira.

“Nëse para gjashtë viteve, 2 nga10 rezervime në ditë ishin nga qytetarë që jetonin brenda Shqipërisë, tani numri është rritur mesatarisht shumë, e madje edhe vajzat që dikur ishin shumë të rralla, kanë nisur të rezervojnë.”- tregojnë ata për gazetaSi.al.

Të huajt i mirëmbajnë më shumë automjetet dhe kanë prirjen që të zgjedhin makina sa më komode të jetë e mundur për të udhëtuar drejt perimetrit të Shqipërisë.

Shqiptarët rendin drejt makinave më luksoze dhe të shtrenjta sidomos në ditët kur i rezervojnë në varësi të një eventi të caktuar që mund të kenë.

Pavarësisht se për qytetarët marrja e një makine me qira ka më shumë përfitime se sa dëme, për kompanitë ka shumë problematika të shumta të cilat janë të akumuluara ndër vite. Sipas "Enterprise", një ndër problemet që kryeson në listë janë gjobat, duke qenë se ata janë një kosto shumë e madhe për kompaninë dhe kjo e fundit njihet me gjobën pasi klienti ka ikur.

“Është kosto dhe dhimbje koke e vazhdueshme edhe për faktin se raportimi online i një gjobe nuk bëhet në kohë reale dhe mund të marrë disa ditë kohë. Ndërkohë, klienti me shumë gjasë e ka dorëzuar makinën dhe mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë, në rastet e klientëve të huaj. Ne informohemi me vonesë, 24-72 orë nga momenti i marrjes së gjobës në rastin më të mirë, por ndonjëherë mund të marrë edhe 5 ditë”, tregon një punonjës i "Enterprise" për Gazetën "Si".

Gjithashtu, sipas kësaj kompanie, nga e gjithë eksperienca e saj në treg, shqiptarët marrin më shumë gjoba në raport me të huajt dhe janë më të papërgjegjshëm.

Aktorët e tregut tregojnë se një nga problemet e tjera në këtë sektor është pikërisht sezonaliteti.

Gjatë gjithë vitit ka dy sezone, ai ku ka më tepër aktivitet, ku kërkesa dhe çmimet janë më të larta, kryesisht 30-50 euro/ditë.

Dhe sezoni më i ulët ku çmimet bien dhe thuajse përgjysmohen. Çmimi i një makine me qira varion sipas ditëve, sa më shumë ditë, aq më lirë përfitohet ajo, por sigurisht që në çmim ndikon edhe tipi i makinës.

Në ditët më të vakëta të fluksit, një makinë merret mesatarisht për 10 euro/dita.

Konkurrenca informale është një tjetër problem që rëndon mbi bizneset e mëdha të cilët punojnë ndershmërisht.

Duke qenë se ka persona të tjerë që ofrojnë rreth dy ose tre makina, të paregjistruar dhe me çmime shumë të ulëta, ata ndikojnë tek kompanitë më serioze të cilat kanë një tjetër barrë fiskale dhe një tjetër kosto. Kështu, ata detyrohen të vijnë me çmime të tjera në treg.

Edhe për "Enterprise", pandemia luajti peshën e saj të madhe në numrin e rezervimeve ku ajo u detyrua që të ulte edhe çmimet deri në 40-50% duke qenë se klientë ishin vetëm nga tregu i brendshëm i Shqipërisë.

Megjithatë, kjo kompani ka shpresë për rikuperim, sepse sipas saj ka shumë "guximtarë" që kanë konfirmuar rezervimet për sezonin veror, ku të parët që kanë rezervuar janë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Një problematikë tjetër e vjetër është edhe infrastruktura në Shqipëri, e cila ua shton kostot e amortizimit kompanive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë