Ngjarje

Makina iu gjet e djegur në Pukë, gjendet gjallë në Itali biznesmeni ‘i zhdukur’ italian

Pas rreth 8 muajsh, është zbardhur misteri për fatin e biznesmenit italian Davide Pecorelli, makina e të cilit u gjet e djegur në Pukë.

Sipas mediave italiane, mësohet se ai është gjetur i gjallë në Toscana në një gomone në brigjet e Livornons.

Pecorelli është lënë i lirë, pasi ka dhënë dëshminë e tij në polici, por akoma nuk dihen arsyet pse ai u zhduk për kaq kohë.

Davide Pecorelli ishte nisur nga Italia drejt Shqipërisë më datë 3 janar 2021 nga aeroporti Fiumicino i Romës. E prej datës 6 janar 2021 ai rezultonte si i zhdukur.

Renato Pecorelli, babai i Davides, shprehet se do ta përqafojë djalin e tij duke qenë se ka 8 muaj pa e takuar.

"Unë do ta përqafoj, por menjëherë më pas do t'i tërheq veshët! Tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu që ai do të më thotë çfarë ndodhi në ato anë... ".

Babai i 4 fëmijëve dyshohej se ishte zhdukur në Pukë disa muaj më parë ku kishte qenë në një udhëtim pune.

Kur kishte shkelur në tokën shqiptare, ai ishte takuar edhe me pronarin e një salloni bukurie, ndërsa gjurmët e tij të fundit u gjendën brenda një makine tip “Skoda”, të cilën e kishte marrë me qira, ku policia gjeti disa sende personale, mes të cilave edhe telefonin e tij.

Ngjarja u dyshua si kriminale dhe hetimet u përqendruan te një vrasje e mundshme, ndonëse nuk rezultonte se Pecorelli të kishte patur konflikte me njeri.

Ai kishte biznese në Shqipëri ku tregtonte pajisje për sallone bukurie dhe ishte në një periudhë delikate sa i përket të ardhurave, megjithatë nuk kishte informacione se ishte në borxh.

Pecorelli ishte martuar me shqiptare, me të cilën kishte edhe një fëmijë. Në Shqipëri për të sqaruar misteret që rrethonin këtë ngjarje erdhën edhe hetues italianë, por pa hedhur dritë.

Ndërsa hetuesit punon për të zbuluar se kush e vrau biznesmenin italian në Shqipëri, ngjarjet morën kthesë tjetër mbrëmjen e 17 shtatorit, ku Pecorelli u gjet shëndoshë e mirë, teksa jetonte në një hotel në ishull.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë