Politike

Majko zbulon skemën për votën e emigrantëve: Më e mira, ajo me zarf

Vota e emigrantëve është zotimi i mazhorancës socialiste për t’u arritur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që sipas ligjit parashikohen në vitin 2021. Ministri për Diasporën, Pandeli Majko zhvilloi sot një interpelancë me përfaqësues të Diasporës në Kanada për të diskutuar mbi të gjitha mbi rrugët dhe alternativat që mendon qeveria për t’i mundësuar emigrantëve për të votuar në Shqipëri. Ministri Majko theksoi se emigrantët që nga viti 1998 gjendjen në listën e zgjedhësve, por që largësia i pamundëson që të vijnë dhe të votojnë në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Ministri bëri të ditur se në Europë janë 41 shtete dhe se për Shqipërinë po studiohen disa propozime. Duke mos theksuar se fillimisht duhet të vendoset nëse caktimi i votës së emigrantëve do të bëhet me ndryshimin e Kushtetutës apo të ligjit zgjedhor, Majko theksoi se ka disa variante, por më e mira e mundshme shihet ajo e votës me zarf. “Nëse nuk do të ketë ndryshim të sistemit, atëherë i bie që në çdo ambasadë të dërgohen 12 kuti votimi për të votuar dhe kjo do të ishte një proces teknik i vështirë. Mendoj se mënyra e më e mirë është ajo e postës me zarf e dërgimit të votës. Ky është dhe modeli që aplikon binjaku ynë, Kosova”, deklaroi Majko. Ministri gjithashtu hodhi idenë që shpërndarja apo marrja e zarfeve të mos realizohet nga Posta shqiptare, nisur nga fakti se mund të krijohet përplasje të mëdha dhe debate se ky institucion varet nga qeveria. Për këtë Majko hodhi idenë e pajtimit të një kompanie ndërkombëtare që ofron këtë shërbim. Pra votimi me zarf duhet të realizohet, sipas ministrit, pasi emigranti të shprehë interesin për të votuar.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/3091995687483268/?t=4


“Votimi me zarf do ishte një oportunitet mjaft i mirë. Këtu pastaj mund të kemi një element të kësaj natyre që vlen të diskutohet. Ne kemi afërsisht gjysmën e popullsisë jashtë. Pra secili do ketë zarf? mendoj se duhet të ketë një shprehje interesi. Unë jam Pandeli Majko, banoj në Otava do doja të përfshihesha dhe më pas i shkonte zarfi. Një kompani ndërkombëtare do ishte më mirë se sa t’i jepej Postës Shqiptare se menjëherë për drejtorin do fillonin akuzat, kushëri i pestë apo i gjashtë. Kurse një kompani ndërkombëtare do ishte më mirë”, tha ndër të tjera Majko.
Një tjetër model që mund të diskutohet në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore është ai kroat, ku diaspora voton në rajonin më të madh si Zagrebi. Për emigrantët mund të ishte qarku i Tiranës ku mund të votonin, por sipas ministrit mund të dëmtonte pasi zgjedhësit emigrantë do të votonin për interesa të zonës ku ata kanë jetuar në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë