Politike

Majko: Të ndryshohet Kushtetuta, problemi nuk është PS, por PD

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko ka mbajtur një qëndrim ndryshe nga kryeministri Edi Rama sa i përket çështjes së reformave duke u shprehur pro idesë së ndryshimit të Kushtetutës për hir të reformave.
“Në rezolutë ka një paragraf të munguar. Ai është se me cilën opozitë do të bëjë mazhoranca sot negociatat për qëllimet e procesit të integrimit europian. Sepse sot ka dy opozita të cilat me nervozizmin e tyre e bëjnë të ndërlikuar këtë proces. Opozita në Kuvendin e Shqipërisë reagon me nervozizëm për çdo mundësi dialogu me opozitën, e cila braktisi mandatet parlamentare. Aktualisht politika opozitare jashtë Kuvendit është e qartë vetëm me atë që nuk do. Ajo ka vendosur në provë legalitetin sistemit demokratik të vendit. Edi Rama mund të jetë problemi i opozitës, por ai është i pamjaftueshëm për të barazuar atë me vetë sistemin”, deklaroi Majko.
Sipas tij, kriza opozitare e ka të vështirë ta shpjegojë vlerësimin se me Edi Ramën thotë nuk bëhen zgjedhje.
“Cilido opozitar se ndjen se nuk fiton përballë Edi Ramës pas dy mandatesh qeverisje të tij duhet ta nisë shpjegimin jo nga ai por nga vetja. Çdo individ që blen votat do mbetet e tillë elektoralisht sikur është kryeministër ashtu edhe kur është kryetar i PS. Barazimi i sistemit me qëllimin politik është gabim, ai do të vetëkufizojë opozitës sa do të vendosë në provë mazhorancën. Rezoluta e integrimit europian është një ftesë për reflektim dhe shprehje e vullnetit politik brenda sistemit kushtetues”.
Ish-kryeministri deklaroi se barazimi i sistemit me qëllimin politik është gabim. Ai sipas Majkos, do vetëkufizojë opozitën dhe e vendos në provë mazhorancën. Problemi i vendit sot nuk është PS.
“Partia që u krijua nga studentët duhet t’i bëjë pyetje të rëndësishme vetes sot. “Pse nuk po bëhet një alternativë, që “votën” me të ardhmen e Shqipërisë?” “Pse e ardhmja e PD sot matet me “eurot” e kundërshtarit?” Sot sipas opinionit tim ka ardhur koha për të diskutuar edhe ndryshimi i Kushtetutës. Midis arsyeve të ndryshimit të saj është edhe parashikimi se kush braktis sistemin duhet të paguajë jo vetëm politikisht por edhe me ekzistencën legal. Me këtë rezolutë sot pohohet dëshira kombëtare për qëllimin strategjik të integrimit evropian të vendit. Politika është shfaqur si kosto e këtij qëllimi gati 30 vjeçar të shqiptarëve. Kush mendon se politika është vetëm për të fituar kufizon veten nga frika e humbjes. PD duhet të kthehet në sistem. Kjo fillon nga ankimimi në Gjykatën Kushtetuese deri në respektimin e vendimit fundor të saj. Ky proces do të vazhdojë me reformën zgjedhore. Kjo reformë ka të pashmangshme negociatën me opozitën në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Majko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë