Lajme

Majko në Kalabri, kërkon vendosjen e një dite për arbëreshët në Parlament

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, i shoqëruar nga homologu i tij kosovar Dardan Gashi dhe Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj po zhvillon një vizitë pune në Kalabri, ku jeton një komunitet i madh arbëresh.

Në një takim me kryetarë te komunave arbëreshe në Kozenca të tilla si; Falkunara, Frasnita e Shën Sofia, e gjithashtu përfaqësues të Institutit të Kulturës së Arbëreshëve të Kalabrisë, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme e për iniciativa të përbashkëta kulturore.

Majko propozoi firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi mes dy Ministrave të Diasporës dhe Institutit Arbëresh dhe gjithashtu caktimin e një datë dedikuar arbëreshëve në Parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës, ku do të ketë të ftuar të veçantë nga komuniteti.

Ministri kërkoi koordinim më të madh dhe shkëmbime nxënësish përmes shkollave verore. Sipas tij, do të ishte me interes të caktohej një javë e kulturës arbëreshe në Itali e cila do të përfshihej në kalendarin vjetor. Gjatë aktivitetit që do të shërbente si një panair për promovimin e trashëgimisë së çmuar të këtij komuniteti, do të ftoheshin studiues dhe njerëz të artit.

Gjatë qëndrimit në Kozenca, Ministri Majko dhe dy zyrtarët e lartë të Kosovës, morën pjesë në një aktivitet dedikuar traditës arbëreshe. Në ceremoninë ku ishin të pranishëm përfaqësues të një prej diasporave më të vjetra shqiptare në botë, u ndanë çmime për personalitete dhe institucione që kanë kontribuar në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë. Në aktivitet u vu theksi tek lidhjet e forta vëllazërore mes arbëreshëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tek nevoja për ti ruajtur dhe çuar përpara vlerat e përbashkëta.

Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri Majko e cilësoi vizitën si një mundësi për tu njohur më ‘rrënjët tona’.
“Kur e kthejmë kokën pas në historinë tonë, ju shohim si pjesën më të veçantë të saj”, tha ai, i cili i quajti arbëreshët anëtarë të rëndësishëm të familjes së madhe shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë