Ushqim

Magjia e farave chia, pse duhet ta konsumoni këtë ushqim

Farat chia janë cilësuar nga ekspertë dhe nutricionistë të shumtë si një nga ushqimet më të shëndetshme në planet. Janë të mbushura me lëndë ushqyese dhe i japin trupit dhe trurit tuaj përfitime të jashtëzakonshme. Sipas gjuhës antike të fiseve Maja, “chia” do të thotë fuqi.

Chia është bimë e pasur me acide yndyrore omega-3, proteina dhe fibra, dhe gjithashtu përmban një sasi të konsiderueshme të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve. Fara Chia është e shkëlqyeshme për rigjenerimin e lëkurës, por edhe për djegien e yndyrës, forcon organizmin dhe ndikon pozitivisht në organet e tretjes. Nutricionistët pajtohen se fara Chia është një prej gjërave më të mira që mund ta konsumoni në qoftë se ndiheni të dobët dhe pa energji, pasi që ndikon në funksionimin e muskujve, dhe liron energji në trupin tuaj, prandaj përdoret shpesh nga atletët. Kjo farë përmban rreth 37 për qind të fibrave ushqyese të cilat ndihmojnë punën e zorrëve. Dieta apo mënyra strikte e të ushqyerit bazuar në konsumimin e kësaj fare është dëshmuar si e shkëlqyer në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë.

Fara Chia përmban gjithashtu acide yndyrore omega-6, antioksidantë (vetëm një gram fara Chia është katër herë më i pasur me antioksidantë se boronicat e freskëta) dhe proteina të cilat janë thelbësore për shëndetin e lëkurës. Studimet kanë treguar se konsumimi i farave Chia gjithashtu ndikon në shëndetin e flokëve dhe thonjve në përputhje me faktin se Chia është një burim i madh i proteinave (20 për qind) të cilat trupi duhet vazhdimisht t’i ketë për të reflektuar dhe mbrojtur rrënjët e flokëve, respektivisht thonjve të cilët janë bërë nga proteina keratinë.

Konsumimi i farave Chia ndikon në uljen e oreksit, përshpejton metabolizmin, dhe aktivizon glikogjenin i cili është shumë i rëndësishëm për djegien e yndyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë