Futboll

Magji e Tiranës, për 2 minuta i rrëmben “fronin” Kukësit

Futbolli është vërtet një lojë magjike dhe asgjë nuk mund të parashikohet. Te Kukësi ishin duke pritur vërshëllimën përfundimtare të ndërkombëtarit Eldorjan Hamiti deri 6 minuta para fundit, që të festonin shkëputjen nga Tirana, por ëndrra u prish brenda dy minutash. Një magji e Tiranës ka bërë që në “Air Albania Stadium” festa të jetë e gjitha badheblu.

Dy golat e Bathës dhe Torasës kanë zhvlerësuar avantazhin e Kukësit falë një autogoli të Vangjelit. Tashmë Tirana është në vend të parë, me 44 pikë, dhe ka zbritur nga “froni” pikërisht Kukësin, që duke llogaritur edhe barazimin në Ballsh, duket se po hyn në krizë rezultati. Është hera e dytë radhazi që Kukësi kalon në avantazh dhe në fund nuk arrin të fitojë.

Ndeshja është luajtur në një atmosferë të ndezur, ku të pranishëm ishin rreth 6 mijë tifozë. Në ndonjë moment ka pasur edhe shpërthime nga tifozët, me ndonjë shishe plastike të hedhur në fushë, megjithatë në total ka qenë një 90-minutësh i bukur për t’u parë. Një ndeshje krejtësisht e hapur, që momentet më të bukura i kishte ruajtur për në pjesën e dytë.

Kukësi kaloi në epërsi, kur Vangjeli e dërgoi topin në rrjetën e tij, në tentativë për ta larguar. Skuadra e trajnerit Duro mbeti me 10 vetë, paso mbrojtësi Teqja doli me karton të kuq dhe më pas Tirana i “hipnotizoi” verilindorët. Batha shënoi një gol shumë të bukur me një goditje dënimi dhe 2 minuta më pas Kobina bëri çfarë deshi në zonën e Kukësit, duke i dhënë Torasës një top që argjentinasi vetëm sa duhej ta shtynte në rrjetë. Tirana kthehet te fitorja dhe duket se vërtet është sezoni i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë