Analize

Mafia shqiptare është fuqizuar në Europë!

“Krimi i organizuar dhe bandat me origjinë nga Shqipëria janë fuqizuar edhe më shumë përgjatë vitit të kaluar”. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Observatori Europian për Krimin dhe Sigurinë, një konsorcium gazetarësh investigativë dhe reporterësh që grumbullojnë dhe analizojnë të dhënat e krimit të organizuar në vendet europiane dhe atyre përreth. Në një artikull të publikuar më 31 korrik në faqen e vet online ky rrjet gazetarësh analizon raportet e 2017 dhe 2018-s për krimin e organizuar shqiptar dhe shpreh shqetësimin se në të gjitha këto raporte vihet re fuqizimi i tij.

Ndalet fillimisht tek raporti i publikuar nga Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në vitin 2017, të titulluar “Evolucioni i krimit të organizuar shqiptar. “Organizatat kriminale shqiptare kontrollojnë territore, kanë investime të mëdha në ekonomi dhe ndikim të fortë tek politika e vendit”, thuhet në raport. Më pas analizohet raporti i Departamentit të Shtetit, publikuar në mars të këtij viti. “Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuanë, veçanërisht në tregun europian dhe është vend tranzit i heroinës dhe kokainës afgane, duke shërbyer si porta kryesore hyrëse e saj në vendet e BE-së.

Raporti i amerikanëve rëndit Shqipërinë edhe në listën e vendeve që shërbejnë si “lavatriçe” të mëdha të pastrimit të parave të pista, duke theksuar se, edhe pse sasia e drogës së sekuestruar është rritur ndjeshëm dhe po ashtu edhe numri i personave që kanë përfunduar në pranga, dyshimet mbesin mbi vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë për të goditur grupet kriminale. EU-OCS (European Observatori for Crime and Security) citon më pas raportin global të trafikut të lëndëve narkotike për 2017 nga Kombet e Bashkuara. “Shqipëria renditet si vend prodhues dhe nyje shpërndarjeje në këtë raport, që thekson ekzistencën e provave konkrete të përfshirjes së grupeve kriminale shqiptare në rrjetet kryesore të trafikut të heroinës, kokainës dhe kanabisit në Europë”, citohet në këtë raport.

Rrjeti i gazetarëve investigativë europianë kujtojnë sekuestrimin e 613 kilogramëve kokainë në shkurt të këtij viti. Droga ishte fshehur në bazamentin e kontenierëve të mbushur me banane dhe kishte mbërritur drejtpërdrejtë nga Kolumbia. “Kjo tregon se grupet shqiptare janë fuqizuar aq shumë saqë kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesin kryesor të kokainës, që është Kolumbia”, thonë gazetarët. Këtë lidhje e ka zbuluar më herët agjencitë britanike ligjzbatuese, që thonë se “grupet kriminale ballkanike po rrisin gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre tek rrjeti i trafikut të kokainës duke vendosur marrëdhënie direkte me prodhuesit e saj në Amerikën Latine, e shpesh duke shmangur grupet tradicionale dhe më të vjetra në këtë veprimtari të paligjshme”.

“Londra është baza kryesore e grupeve shqiptare, por aktiviteti i tyre shtrihet në të gjithë Britaninë e Madhe”, thuhet në një raport të NCA (National Crime Agency).

Zgjerimi ndërkombëtar i grupeve kriminale shqiptare pashmangshmërisht prodhon pasoja brenda kufijve të vendit. Departamenti i Shtetit thekson se Shqipëria shërben si bazë kryesore e operacioneve, madje edhe për grupet rajonale të trafikut.

“Të ardhurat e siguruara nga aktivitetet e paligjshme pastrohen lehtësisht”, thotë DASH. Por si? Raporti i amerikanëve identifikon dy fusha kryesore; së pari sektorin e ndërtimit dhe së dyti kumarin, duke përfshirë këtu kazinotë e lojërat e ndryshme të fatit dhe lotaritë sportive. “Agjencitë ligjzbatuese njohin domosdoshmërinë për të luftuar pastrimin e parave, por përgjithësisht mbeten të paafta për t’u përballur me këtë fenomen”, thuhet në raportin e DASH.

Sipas EU-OCS, pikërisht lufta kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Madje, në raportin e publikuar në qershor rithekson se çmontimi i grupeve kriminale mbetet një sfidë me rëndësi jetike për integrimin e vendit në BE. Mbi këtë dhe çështje të tjera qeveria shqiptare duhet të punojë nga tani deri në vitin 2019 për të bindur Bashkimin Europian që të hapë negociatat e anëtarësimit. Deri atëherë, “lufta pa mëshirë kundër kultivimit dhe trafikut të drogës”, ashtu siç premtoi Kryeministri Edi Rama në 2013, duhet të prodhojë rezultate konkrete.

Bandat shqiptare kontroll në tregun e kokainës në Britani

Agjencia Britanike e Krimit

Pak muaj më parë, Agjencia Britanike e Krimit ka publikuar një raport ku konstatonte se  bandat shqiptare kanë kontroll të konsiderueshëm mbi tregun e paligjshëm të kokainës. Në vlerësimin e  saj vjetor të krimit të organizuar, NCA-ja paralajmëronte se bandat nga vendi ynë kanë një ndikim të lartë brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Duke theksuar se është gjithnjë e më e shqetësuar për grupet kriminale me origjinë shqiptare, agjencia britanike thote se ndër aktivitetet e tyre kryesore janë tregtia e dhunshme e kokainës dhe shpërndarja e saj në Londër.

"Kriminelët nga Ballkani po e zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, duke lidhur marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine.  Grupet shqiptare paraqesin kërcënimin më të madh. Londra është qendra e tyre primare, por tanimë ata janë shpërndarë nëpër të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, konstatonte raporti.

Agjencia britanike përcaktonte gjithashtu se shqiptarët përbëjnë vetëm 0.8% të kriminelëve të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar,  ndërkohë që shtetasit britanikë radhiten në vend të parë (61.6%), të ndjekur nga rumunët dhe pakistanezët. Por ai paralajmëron se ndikimi i grupeve kriminale shqiptarë ishte veçanërisht shqetësues për shkak të gatishmërisë së tyre për të përdorur dhunën. Duke folur për “BBC Radio 4”, Mattheu Horne, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i NCA-së u shpreh: "Edhe pse numeri i shqiptarëve të përfshirë në trafikun e drogës, është relativisht i vogël, ndikimi i këtyre grupeve është mjaft alarmant".

I pyetur për dhunën e ushtruar nga bandat shqiptare, Horne tha se ajo përdoret shpesh si mjet presioni ndaj rrjeteve të tjera të përfshira. “Ne jemi të shqetësuar se në këtë mes ka edhe njerëz të pafajshëm. ", deklaroi zëvendësdrejtori i përgjithshëm i NCA-së.

Ndërkohë në shkurt të këtij viti, gazeta britanike “Observer” raportoi se shqiptarët janë ndër grupet më të mëdha të emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe.  "Britania e Madhe strehon rreth 20,000 emigrantë shqiptarëve. Por shumica prej tyre kanë hyrë në vendin tonë, duke pretenduar se janë kosovarë që ikin nga lufta. Mbretëria e Bashkuar është destinacioni i preferuar i të rinjve shqiptarë, të cilët vijnë nga një vend ku 70% e popullsisë është myslimane dhe kodi mesjetar i kanunit vazhdon të ketë ndikim të madh në zonat rurale. Ai përcakton se gjaku i derdhur duhet të paguhet me gjak, një ligj mesjetar që ka cuar drejt qindrave vrasjeve të fshehta, përgjatë viteve të fundit.  Gjakmarrjet janë përcaktuar nga Komisioni Europian, si një nga faktorët më të zakonshëm që nxisin flukset e azilit nga Shqipëria, së bashku me, papunësinë, diskriminimin dhe qasjen e pakët në kujdesin shëndetësor, përfitimet sociale dhe arsimin", shkruan gazeta britanike.

Nga ana tjetër, Agjencia britanike e Krimit, përcaktonte gjithashtu se bandat vendase dhe rumune ishin të përfshira edhe në trafikimin e qenieve njerëzore, sidomos në Ballkan dhe Europën Lindore. Por raporti i NCA-së theksonte se bandat kriminale shqiptare po distancoheshin gjithnjë e më shumë nga trafikimi i qenieve njerëzorë, për t’u fokusuar tek trafikimi i drogës.

Si janë të shpërndara organizatat kriminale në Shqipëri

Në dhjetor 2015, Shqipëria miratoi një ndër ligjet më të ashpër penale në Europë kundër përfshirjes së personave të inkriminuar në politikë dhe vendimmarrje. I ashtuquajturi ligji për “dekriminalizimin ” është një përpjekje për dënuar personat e përfshirë në organizata kriminale në Shqipëri. Sipas një studimi të realizuar nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, në vendin tonë ka rreth 50 struktura të organizuara kriminale, të cilat kanë vepruar në formën e bandave të armatosura, organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara kriminale. Studimi përfshinte edhe këndvështrimet e ekspertëve të ndryshëm si gjyqtarët, prokurorët, avokatët, punonjësit e policisë si dhe gazetarë investigative. Sipas raportit, krimi i organizuar, biznesi dhe politika janë mpleksur në një marrëdhënie të komplikuar interesash të përbashkëta dhe shfrytëzimi me përfitim të ndërsjelltë. Ai thekson se organizatat kriminale kanë lidhje me politikën, dhe kjo e fundit ndërhyn duke neutralizuar agjencitë ligjzbatuese nëpërmjet emërimeve të njerëzve të besuar ose militantëve partiak. Forma më e njohur e bashkëpunimit midis organizatave kriminale dhe organizmave shtetërore është korrupsioni, sidomos në sistemin e drejtësisë.

Dhe ky sipas të intervistuarve nuk është fenomen lokal por i përhapur në të gjitha ato rrethe ku krimi i organizuar është problematik. Studimi percakton se zhvatja e të ardhurave nga biznesi përmes gjobave apo ‘mbrojtjes’ nga bandat e tjera, mbështetja e kandidatëve politikë apo frikësimi i kundërshtarëve në zgjedhje, prishja e mitingjeve të partisë kundërshtare, manipulimi i votave dhe financimi i fushatave elektorale në këmbim të imunitetit nga ndjekja penale dhe përfitimeve të tjera, janë disa prej nuancave të marrëdhënies së politikës me krimin që është sofistikuar ndër vite dhe se parti politike kanë përfituar fonde nga drejtues rrjetesh kriminale. Në rajone të ndryshme të vendit, rivaliteti mes bandave të armatosura ndonëse ka patur si motiv kryesor kontrollin e territorit, ka shfaqur shpesh ngjyrime të anshme politike. Raporti nxjerr në pah se thuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit ka grupe të strukturuara kriminale të cilat kanë kontroll territori dhe të cilat janë fokusuar kryesisht në trafikun e narkotikëve, gjobëvënien dhe mbledhjen e borxheve.

Tiranë

Në qytetin e Tiranës aktualisht mendohet të veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme të strukturuara të cilat kanë një shtrirje kohore të aktivitetit kriminal të hershëm dhe të cilat kanë arritur ti rezistojnë kohës për shkak të sofistikimit dhe lidhjeve të tyre me biznesin dhe segmente të korruptuara të shtetit. Organizata e parë diskutohet ti ketë fillimet që në vitin 1994 dhe objekti kryesor i aktivitetit të saj është pastrimi i të ardhurave kriminale të mafies ndërkombëtare. Organizata e dytë dyshohet të ketë të paktën 27 anëtarë dhe ka si objekt kryesor trafikun e narkotikëve, gjobëvënien dhe mbledhjen e gjobave për të tretët. Organizata e tretë hamendësohet të jetë më pak në numër dhe më pak aktive por me investime të rëndësishme në fushën e minerareve.

Shkodër

Dyshohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Të 4 “familjet” janë të përfshira kryesisht në trafikun e narkotikëve, armëve dhe qenieve njerëzore. Nga ekspertët hamendësohet se Shkodra mund të jetë “hambari” i ardhshëm i rritjes së kanabisit dhe ky ndryshim për pasojë, mund të sjelli forcimin e mëtejshëm të këtyre organizatave kriminale. Ky fuqizim mund të rrezikojë rëndë stabilitetin e kësaj zone duke pasur parasysh ekuilibrat e brishta sociale në këtë rreth.

Durrës

Në qytetin e Durrësit diskutohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi, dhe ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre. Mendohet që në Durrës aktualisht të jetë ri-aktivizuar një organizatë kriminale e cila drejtohet nga individë më precedentë të mëparshëm penal. Hamendësohet gjithashtu se në qytetin e Durrësit prej kohësh vepron një “familje” e njohur në botën e krimit dhe me influencë jo vetëm në aktivitete tregtare por dhe aktivitete sociale.

Vlorë

Karakteristikë e grupeve kriminale të qytetit të Vlorës është se në dallim nga ato të cilat ishin aktive në vitin '92-'99 (Zani Caushi, Kakami, Gaxhai etj), nuk ka më territore të ndara. Vihet re që vrasjet në qytetin e Vlorës janë të shumta dhe këto vrasje në përgjithësi nuk janë për çështje territori, por për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vendet e BE kryesisht në Spanjë dhe Itali.

Fier

Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit sipas shumicës së të intervistuarve, mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri. Hamendësohet se grupet kriminale në Fier, në ndryshim nga qytetet e tjera bazohen jo vetëm në lidhje gjaku dhe shoqërore por mbi të gjitha në lidhje komunitare (psh. komuniteti kosovar dhe çam). Mendohet se kohëve të fundit eksponentë të lartë të krimit të organizuar me precedentë kriminalë dhe të njohur si drejtues organizatash kriminale në vendet e BE (Greqi, Itali, Belgjikë dhe Spanjë) kanë investuar në këtë qytet të ardhurat e tyre kriminale dhe mendohet se po zgjerojnë ndjeshëm influencën e tyre edhe pranë partive politike, sidomos atyre të vogla. Me “familje” të përfshira në krimin e organizuar do të kuptojmë ato grupime kriminale të cilat strukturën drejtuese organizative të tyre e mbështesin në lidhjet familjare sipas hierarkisë së familjes, duke filluar nga kryefamiljari (babai ose vëllai i madh), e ndjekur më pas nga vëllezërit më të vegjël, kushërinjtë dhe duke zbritur tek rrethi shoqëror që kryesisht mbështetet tek komshinjtë .

Berat

Qyteti i Beratit mendohet të jetë një qytet ku krimi i organizuar ka investuar për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë aktiv. Dyshohet se organizatat kriminale në këtë qytet janë kryesisht lokale të mbështetura në lidhje të forta familjare dhe shoqërore. Flitet se në këtë qytet kanë influencë të paktën 3 “familje” me precedentë të fortë kriminalë.

Elbasan

Vrasjet e shkurtit të vitit 2016, treguan se qyteti i Elbasanit vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë ku aktiviteti i krimit të organizuar vazhdon të jetë prezent edhe pas shkatërrimit të dy bandave famëkeqe të “Mandelës” dhe “Tan Kateshit”. Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet që të kemi zhvendosje të organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë