Muzike

Madonna  bëhet 60 vjeç  –  Si e ndryshoi botën e modës “Vajza Materiale”  



Karriera e Madonna-s si një superyll i njohur botërisht ka zënë pjesën më të mirë të katër dekadave, duke e çimentuar statusin e saj të artistëve më të admiruar të historisë. Ndërsa talenti i saj muzikor është vlerësuar nga kritika e gjithë botës, këngëtarja ka pasur një ndikim domethënës edhe në tendencat globale të modës, qysh kur zuri vendin e saj në projektorët e skenës botërore.

Kur dikush nis të mendojë rreth veshjeve më legjendare të Madonna-s, ndoshta parafytyrojnë fustanin e nusërisë, të cilin e veshi në performancën e saj “Like a Virgin” në Çmimet e MTV-së, në vitin 1984, reçipetat konike që mbajti gjatë turit të saj “Blonde Ambition” në  Japoni, më 1990-ën apo homazhet e shumëfishta të saj ndaj Marylin Monroe-së.

Madonna në MTV 1984

Megjithatë, Madonna ka bërë shumë më shumë në botën e modës sesa thjesht një bashkëbisedim tronditës falë zgjedhjeve të saj te veshjeve apo u ka dhënë shkëndijë modës së re në disa raste.

Mënyra sesi këngëtarja e ka përdorur stilin për të përfaqësuar  identitetin e saj ishte një koncept iri kur ajo u ngjit në skenën muzikore.

Ajo u bë edhe më e dukshme pas një roli kryesor në film të këngëtares më 1985 “Duke kërkuar dëshpërimisht Susan-in”, që i pa njerëzit në të gjithë botën në përpjekje për të kopjuar xhaketën e saj të lëkurës, fjongon e madhe me flokët, teprinë e stolive dhe pantallonat e gjera.

Ish-publicistja e Madonna-s, Liz Rosenberg ka folur rreth takimit të saj të parë me yllin e ri, kur fitoi besim ndërsa vishte një “veshje të zezë me qindra byzylykë gome në secilin kyç të dorës.” Është e dukshme se këngëtarja ka një kuptim të qartë të asaj  që ka qenë dhe që donte të bëhej, qysh në fillim të karrierës.

Madonna në filmin  "Desperately Seeking Susan"

“Mendoj se Madonna ishte një nga të parat marka me të drejtën e saj”, ka thënë stilisti Alex Longmore për Indipendent-in.  “Kishte identitetin e saj dhe i qëndroi atij. Ajo ka përfaqësuar gjithmonë rebelizmin, rishpikjen dhe ndryshimin. Ajo ka qëndruar gjithnjë në pararojën e stilit, duke evoluar vazhdimisht dhe duke treguar një histori me zgjedhjet e saj të veshjes e duke shprehur veten me modën qysh prej viteve ’80.”

Shkrirja mes zgjedhjeve të modës dhe identitetit të saj, e bënë Madonna-n të veçohej nga turma dhe të frymëzonte fansat të eksploronin identitetet e tyre në procesin e zhvillimit.

Efekti që pati gjatë viteve dhe që padyshim do të vazhdojë të ketë në të ardhmen, mund të përshkruhet si “fenomen” , siç e ka cilësuar  akademiku  Douglas Kellner, në librin e tij “Kultura e Medies: Studimet Kulturore, Identiteti dhe Politikat mes Modernes dhe Post-Modernes.”

Madonna në Superbowl

“Ndryshimi i vazhdueshëm i  imazhit  dhe identitetit te Madonna nxiti eksperimentimin dhe krijimin e modës dhe stilit vetjak.”, ka shkruar ai. Ndryshimet e saj, nganjëherë dramatike, në imazh dhe stil tregonin se identiteti ishte një konstrukt , diçka që individi e   e prodhonte dhe se mund të modifikohej me vullnet.

Madonna në Çmimet Oscar, 1991

“Mënyra sesi Madonna e zbërtheu modën në ndërtimin e identitetit të saj , e bëri të qartë se paraqitja dhe imazhi, ndihmojnë në prodhimin e asaj që një njeri është, ose të paktën sesi perceptohet të jetë.” Nuk ishte vetëm sensi i saj i guximshëm i stilit që pati ndikim në tendencat e modës, por edhe prirja e saj për të shndërruar pamjen gjatë viteve.

Reçipetat legjendare konike të Madonna-s

Këngëtarja ka shkuar nga udhëheqja e look-ut punk pop të viteve  ’80 , te sjellja e shkëlqimit të Hollivudit të shkollës së vjetër në çmimet Oscar të vitit 1991, duke shkuar te një pamje më e zakonshme në interpretimin e saj të “American Pie” dhe duke shfaqur privilegjin e saj monark në dizajnët haute couture për “Super Bowl”-in e saj, që theu rekorde.

Ajo i ka bërë fansat e saj të ndjejnë se kanë më shumë liri të testojnë versione të ndryshme të vetes, ashtu si idhulli i tyre. “Duke i shpërthyer kufijtë e vendosur nga gjinia sunduese, kodet seksuale dhe të modës, ajo inkurajoi eksperimentimin, ndryshimin dhe prodhimin e identitetit individual”, ka shkruar Kellner.

Me më shumë se 2 milionë ndjekës në Twitter, 11 milionë ndjekës në Instagram dhe 18 milionë në Facebook, Madonna ka vijuar të mbretërojë si një prej njerëzve më ndikues të modës në epokën moderne të medies sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë