Politike

Macron viziton Tiranën dhe Shkupin pas vetos për negociatat

Pas vetos për hapjen e negociatave, presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ashtu siç njoftoi në konferencën për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel, kreu u Elizesë do të vijë në Tiranë dhe Shkup, ku pritet të ofrojë mbështetjen e Francës ndaj zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Macron është shprehur se do të takohet me kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev, ( ky i fundit ka njoftuar rënien e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme) për të folur për reformat dhe hapat që duhet të ndërmarrin Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Macron vizitoi Beogradin më 16 korrik, pas anulimit të Samitit të Parisit në lidhje me negociatat Serbi-Kosovë. Por kritikat e shumë vendeve europiane për veton ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e ka nxitur Macronin t’i vizitojë të dy vendet.

Pas kritikave nga lidërët europaine, Drejtori aktual për Europën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës Frédéric Mondoloni ka shpjeguar arsyet për refuzimin e Francës.
Zyrtari francez thotë se Parisi do t’i hapte në mënyrë të mënjehershme negociatat me Shqipërinë nëse çohet deri në fund Reforma në Drejtësi.

Në një intervistë, ai thotë se presidenti Emmanuel Macron nuk është kundër nisjes së bisedimeve, por kërkon qe Shkupi dhe Tirana të plotësojnë kushtet.

“Franca është pro-hapjes së negociatave, por ne kemi nevojë të përmbushen dy kushte. Për Maqedoninë e Veriut një nga çështjet problematike është funksionimi i Prokurorisë Speciale, dhe për Shqipërinë është implementimi i reformës në drejtësi. Këto janë çështje shumë të rëndësishme për Francën”, thotë Mondoloni.

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme Franceze shton se Parisi dëshiron që çështjet shumë të rëndësishme, si sundimi i ligjit në Shqipëri dhe pavarësia e mediave të nisin të zgjidhen para negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë