Histori

Macja që i mbijetoi tre mbytjeve të anijeve 

Sami që nuk fundosej,  e nisi shërbimin e tij në flotën e regjimit nazist, Kriegsmarine dhe e përfundoi në Flotën Mbretërore. Ai shërbeu në tre mjete lundruese gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të tria anijet  u mbytën gjatë betejave, por në mënyrë të habitshme Sami i mbijetoi secilës fundosje.


Mbytja  e anijes Bismarck

Macja smoking, bardhezi ishte në pronësi të një anëtari të ekuipazhit të anijes luftarake gjermane, “Bismarck”. Ai hipi në bordin e anijes më 18 maj të 1941-shit, kohë kur u nis për lundrim në Operacionin Rheinübung,  misioni i parë dhe i vetëm i “Bismarck”-ut. Në fund, anija u mbyt dhe vetëm 118 nga ekuipazhi prej më shumë se dymijedyqind njerëzish mbijetuan. Disa orë më vonë, Sami u gjend duke pluskuar në bord dhe u nxor nga uji. Ishte  i vetmi që i shpëtua nga shkatërruesi britanik “HMS Cossack”. Ekuipazhi nuk e dinte emrin e maces dhe e quajtën Oscar.

Mbytja e  HMS Cossack

Macja më pas shërbeu në bordin e “Cossack”-ut për disa muaj, ndërsa anija realizonte detyrat në Mesdhe dhe në veri të Atlantikut. Në fund, shkatërruesi u godit nga një silur dhe 139 veta nga ekuipazhi mbetën të vdekur. Më 27 tetor të 1941-shit, “Cossack” u fundos pak në perëndim të  Gjibraltarit dhe Oscar-i u gjet i kapur pas një dërrase; ia doli dhe shpejt u çua në establishmentin e bregut, në Gjibraltar.  Kur mësuan ç’kishte ndodhur, oficerët britanikë ia ndryshuan emrin në Sami që nuk fundoset – një emër që i shkonte shumë për shtat një maceje që i kishte mbijetuar mbytjes së dy luftanijeve.

Mbytja  e HMS Ark Royal

Sami që nuk fundosej u mor më pas nga ekuipazhi i  “HMS Ark Royal” – në mënyrë ironike një anije,  që kishte qenë  instrumentale në mbytjen e “Bismarck”-ut. “Ark Royal” i mbijetoi disa sulmeve dhe fitoi reputacionin si një anije me shumë fat. Megjithatë, fati nuk zgjati shumë dhe ndërsa ktheheshin nga Malta, më 14 nëntor të 1941-shit, kjo anije u godit me silur, kësaj here nga një nëndetëse gjermane.Sami u gjet, kësaj here, i kapur pas një dërrase që pluskonte mbi ujë, pranë një motori dhe u përshkrua si “i inatosur, por i padëmtuar”.

Pasi shërbeu dhe i mbijetoi tre luftanijeve që u mbytën, Sami doli zyrtarisht në pension.

Dalja në pension e Samit

Pas mbytjes së “Royal”, Sami u transferua në një punë tokësore dhe e kaloi ca kohë duke gjuajtur minj në ndërtesën e Guvernatorit të Përgjithshëm, në Gjibraltar.

Më pas u dërgua në Britani ku qëndroi në një “Shtëpi për Marinarët”, në Belfast, deri në fund të ditëve të tij në tokë. Sami u nda nga jeta, paqësisht, në vitin 1955. Një portret në pastel i Samit (titulluar “Oscar, Macja e Bismarck-ut”) nga artistja Georgina Shaw-Baker  është në pronësi të Muzeut Kombëtar Detar, në Grinuiç. Dëshmi e vërtetë se macet kanë nëntë jetë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë