Futboll

M.Junajtid thumbon Guadiolën për Xhulia Roberts: Ja ku është në ‘Old Trafford’!

Gazeta Si – Thumbime në distancë mes Pep Guardiolës dhe Mançester Junajtid. Pas goleadës në Champions ndaj Lajpcigut, trajneri i Sitit ka bërë pak shaka, duke zbuluar admirimin për aktoren e famshme Xhulia Roberts. Ai përmendi edhe zhgënjimin që ndjeu në 2016-ën, kur Robertes vizitoi ‘Djajtë e kuq”.

Këtë episod Mançester Junajtid ia ka kujtuar menjëherë trajnerit spanjoll, duke publikuar në profilin e vet në Tuiter disa imazhe të yllit amerikan të kinematografisë në ‘Old Trafford’.

“Jam një dështak në Champions. Edhe po ta fitoja tri herë radhazi, do të isha një humbës, - tha Guardiola në konferencë shtypi pas ndeshjes me Lajpcigun. – Kam tre mite: Majkëll Xhordan, Tajgër Vuds dhe Xhulia Roberts. Disa vjet më parë ajo ishte në Mançester, jo në vitet '90, kur Sir Aleks fitonte të gjithë titujt.

Erdhi në periudhën kur ne ishim më mirë se Junajtid, por shkoi të shikonte një nga ndeshjet e tyre. Nuk erdhi te ne. Ja pse edhe po të fitoja Championsin, nuk do të krahasohej me faktin që Xhulia Roberts ishte në Mançester, por nuk na pa ne”, - shtoi Pep Guardiola duke buzëqeshur. “Edhe po të fitoja Championsin, nuk do ta harroja këtë zhgënjim”, - tha trajneri spanjoll.

Deklarata që kanë gjetur menjëherë terren për thumbimet e Junajtid. “Djajtë e kuq” nuk e humbën rastin, por menjëherë publikuan imazhet e vizitës së aktores në stadiumin e tyre. “Duke kujtuar kohën kur Xhulia Roberts vizitoi ‘Old Trafford’" – ishte teksti që shoqëronte fotot e yllit të Hollivudit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë