Njerez

Lutuni edhe për Kombinatin-Diçka nuk po funksionon në Tiranë

Në zonën e Kombinatit në Tiranë, janë të paktë ata që e kalojnë natën në shtëpi. Tërmeti i së martës do të trondiste fort jetën e një pjese të mirë të këtyre banorëve, duke u dëmtuar rëndë shtëpitë. Pallatet e vjetruara pesë katëshe, të ndërtuara që në kohën e Komunizmit, kanë pësuar aq dëme, sa shumica e banorëve i druhen edhe lëkundjeve më të vogla. Bashkia Tiranë ka evidentuar deri më tani dy pallate si të pabanueshme, por burime nga Njësia Administrative 5 i thanë Gazetës Si se në zonën e Kombinatit ka të paktën 10 pallate që duhet t’u duhet t’u vihet menjëherë shiriti i kuq.

“Janë jashtëzakonisht të rrezikshëm sepse u janë dëmtuar kolonat. Më beso kur të them që asnjë zonë në Tiranë nuk është prekur kaq shumë nga tërmetet sa Kombinati”, thekson burimi, duke ngritur shqetësimin se numri i banorëve të prekur është shumë i lartë pasi një pallat ka mesatarisht 40 hyrje.

Për momentin Bashkia Tiranë ka ofruar si zgjidhje strehimin në një qendër sociale pranë zonës së Misto-Mames, por sipas burimit nga Njësia Administrative 5, për momentin kjo qendër nuk strehon dot as banorët e një pallati.

Pallati 163, Kombinat

Në këto pallate, një pjesë e mirë e banorëve nuk kanë hyrë në shtëpi që nga e marta, ndërsa të tjerë hynë sa për të marrë ndërresat dhe dalin me nxitim nga frika e lëkundjeve. Qytetarët na tregojnë se kanë bërë kërkesa në Njësinë Administrative të Kombinatit për një kontroll të pallateve ku jetojnë për shkak të të çarave të shumta në mure, rënies së suvasë apo daljes së tullave. Por deri më tani, edhe pse banorët po qendrojnë grupe-grupe në oborret e ngushta të pallateve, inspektimet sipas tyre kanë qënë të pakta. Disa prej tyre nuk e fshehin frikën, duke e krahasuar Kombinatin me Thumanën.

“Bashkia duhet të ngrejë një kamp vetëm për banorët e Kombinatit”, i thotë Gëzim Berisha Gazetës Si.”Pallati është aq i dëmtuar sa kemi frikë për jetën”.

 Ai jeton në Pallatin 136, i cili është ndër më të dëmtuarit në zonën e Kombinatit.

“Kanë ardhur inxhinierë dhe e kanë parë, por nuk e kanë shpallur ende të pabanueshëm. Njerëzit po flenë me fëmijë nëpër garazhe, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë të ngjiten vazhdimisht nëpër shtëpi pa kuptuar se po rrezikojnë jetën”, i thotë ai Gazetës. “Rreth pallatit duhet vënë urgjentisht një shirit i kuq. Duhet të kontrollohen po ashtu të gjitha pallatet e vjetra të kësaj zonë nëse nuk duam të bëhemi edhe ne si Thumana. Me këdo që flas më thotë se i është dëmtuar shtëpia.”, shprehet Gëzimi duke parë i shqetësuar në drejtim të dritares së  shtëpisë së tij, në katin e pestë.

Gezim Berisha, Gazeta Si, 2019

Ky pallat nuk është shpallur i pabanueshëm por si Gëzimi ashtu edhe banorët e tjerë thonë se shtëpitë e tyre kanë pësuar dëme të rënda. Në disa hyrje kanë rënë mobilet, ne në të tjera suvaja.

“Edhe tërmet më të lehta shkaktojnë rënien e mëtejshme të suvasë”, thotë Gëzimi. “Por ajo që më shqetëson më shumë janë krisjet apo çarja e kolonave në katet e para të pallatit”, i thotë ai Gazetës Si.

Ndërkohë, Esmeralda, një tjetër banore e Pallatit 136 i thotë Gazetës se ky pallat ka pasur probleme që në shtator, por se nuk ishte marrë asnjë masë nga ana e autoriteteve. Duke larguar nga balli flokët e pushpuriturta dhe duke shtrënguar vazhdimisht duart në xhepa, ajo thotë se as kësaj radhe nuk pret ndihmë nga shteti.

 “Sapo i rregullova vetë të gjitha tani dhe u bënë më keq nga sa ishin. I dërguam foto dhe letrat përkatëse bashkisë dhe  asgjë nuk u bë, nuk e vuri ujin në zjarr njëri. Ja po i çojmë edhe një herë prapë, po përsëri nuk presim gjë. Unë kam shkuar të familja e mamit dhe  nuk kam shkuar as te bashkia sepse e mendoj të kotë. S’ia vlen të shkojmë dhe më vjen inat  që i rregullova të gjitha dhe ja prapë ku mbeta. Shyqyr që shpëtuam vetë, por edhe shtëpia na vlen. Unë fotografitë po i çoj kot se e dimë që s’do marrim gjë”, shprehet Esmeralda.

Shtepia e Emeraldes, pallati 136. Gazeta Si, 2019

Pak metra larg saj, disa të rinj përpiqen të lidhin një divan mbi makinë për t’u larguar nga banesa. Ata jetojnë në një pallat ngjitur me Gëzimin dhe Esmeraldën dhe pas disa ditë pritjeje kanë vendosur të largohen tek të afërmit në Korçë.

Pallati ky ata jetojnë, i cili mbart nurmin 163, është ndër më të dëmtuarit në këtë zonë, aq sa banorët kanë frikë edhe të hyjnë për nevojat personale. Pothuajse të gjitha dhomat kanë pësuar shembje të suvasë dhe çarje të rënda në mure. Banorët qëndrojnë prej tre ditësh në ankth mes të ftohtit, duke u endur sa andej këtej nëpër oborrin e vogël.

Historitë e këtyre banorëve janë njëra më rrëqethëse se tjera. Dikush e ka blerë shtëpinë me kredi, të tjerë kanë investuar gjithë kursimet për të blerë mobilje të reja, por të gjithë kanë frikë të humbin pasurinë e vetme që kanë në jetë.

 “’Sot nuk na ka ardhur askush, edhe pse na kanë thënë që do vijë”, thotë një banore e Pallatit 163. Është carë komplet nga mbrapa dhe hapja e tullave është e dukshme dhe nis që nga themeli.  Unë shpinë e kam marrë me kredi dhe jetoj me mamin dhe babin, ndërsa motrën e kam në Arabinë Saudite për të punuar. Jam e dy-punësuar që familjes të mos i mungojë asgjë. Nga bashkia kanë ardhur, por është një gjendje shumë e madhe emergjence.  Kredi po lajm dhe shtëpi nuk do të kemi. Janë gati 35 milionë dhe zgjodhëm këtë zonë sepse këtu jetonim prej kohësh. Babi dhe mami janë të dy të sëmurë nga zemra, por babi e ka  përjetuar shumë keq dhe tani është në reaminacion i shtruar.  Këto ditë jemi strehuar të halla unë me mamin dhe nuk e dimë se çfarë do të bëjmë më”, thotë A.SH për Gazetën Si.

Ajo banon në katin e dytë, një nga katet më të prekura nga tërmëti i së martës, por të gjitha apartamentet e këtij pallati janë njëra më e dëmtuar se tjetra. Banorët na thonë se natën po e kalojnë në oborr, disa në makina e disa në dyshekë që i kanë zbritur nga banesat, sepse nuk kanë ku të shkojnë. Shumica e tyre as nuk kanë dëgjuar për Qendrën Sociale pranë zonës së Misto-Mames, por edhe ata që kanë dëgjuar nuk shkojnë pasi thonë se ajo është e tejmbushur dhe e pasigurtë në rast tërmeti.

Filloreta Mbrice

Ndërkohë një situatë kaotike paraqitet edhe në pallatin më numër 152, i cili ndodhet pranë qëndres shëndetësore të Kombinatit. Banorët kanë çuar ankesën për dëmtimin e kolonave të këtij pallati në Njësinë Bashkiake të Kombinatit, por deri të premten pasdite askush nuk ka shkuar të kontrollojë këto dëme nga afër.

“Nuk ka ardhur njeri fare, edhe pse gjithë pallati është dëmtuar. Nga 20 familje, vetëm 40 vazhdojmë të qendrojmë aty se nuk kemi ku të mbytemi”, i thotë Gazetës Si, Filloreta Mbrice, qytetarë e këtij pallati. “Ka shkuar një nga banorët të ankohet por deri tani askush nuk e ka parë pallatin.” E pyetur përse nuk shkon në qendrën sociale të Kombinatit, por vazhdon të qëndrojë në këtë pallat, ajo thotë se kjo qendër është e tejmbushur.

Në pallatin 160, të cilin Bashkia e ka shpallur të pabanueshëm, dhjetëra banorë qëndrojnë të stacionuar para tij, duke hyrë herë pas here brenda për të marrë ushqime dhe veshmbathje. Pyetjes se përse nuk largohen, banorët i përgjigjen njëzëri se nuk kanë ku të shkojnë.

“Askush nuk na ka thëne ku të shkojmë”, thotë një i ri që jeton në këtë pallat.  “Unë kam dërguar fëmijët në Ersekë tek prindërit por nuk mund të lë punën. Bashkia ka vendosur një cadër përpara pallatit, por është shumë e vogël për të na nxënë të gjithëve. Po bëjmë disa netë që flemë nëpër makina. Bashkia erdhi dhe vuri shiritin por askush nuk na dha një zgjidhje se të ku të shkojmë tani”, i thotë ai Gazetës. “Me e keqja është se të gjithë pallatet në këtë lage janë bërë të pabanueshëm.”

Ndërkohë Faiku, banor i këtij pallati i thotë Gazetës Si, se askush nuk e di ku të shkojë, pasi qendra sociale e Kombinatit nuk i përballon dot të gjithë banorët.

“Po kush të shkojë më përpara atje, ajo i merr si merr 50 vetë”, shprehet ai për Gazetën Si. “Shtëpia është bllokuar dhe ne kemi qëndruar në makina, kemi shpërndarë njerëzit ku të mundnim. Në rregull pallati është i pabanueshëm po njerëzit duhet të sistemohen. Ku shkojnë gjithë këta njerëz. Inxhinierët erdhën por kjo duket, nuk ka nevojë të shikojë”, deklaron Faiku, duke përkëdhelur mbesën e cila vrapon rreth oborrit të vogël të pallatit.

I pyetur për ndihmat e ofruara nga Bashkia ai thotë se: “Ndihma kanë ardhur nuk them se nuk vijnë ushqime e batanije, por siç duket ata shkojnë njëherë në magazine e pastaj vinë këtu. Ne nuk kemi kohë për këtë. Unë i kam bërë për herë  të dytë pajisjet dhe mobiliet në shtëpi se mu prishën herën e parë, edhe i kam marrë të gjitha lekët borxh e tani, nuk  kam më fuqi financiare për të bërë të tjera. Po erdhën ndihmat lekët që  thonë këta, mbase bëjnë ndonjë gjë. Janë edhe njerëzit të prapë se shkojnë njerëzit nga 100 herë për të marrë ndihma e të tjerët mbeteshin pa gjë. “

Por Xhuliana, një zonjë që jeton në Pallatin nr 4, i pari që është shpallur i pabanueshëm në zonën e Kombinatit, nuk është e të njëjtit mendim.

Ajo thotë se bashkë më dhjetëra banorë të tjerë të lagjes e kanë kaluar natën në një bar njëkatësh, pasi askush nuk u ka ofruar çadra.

“ Dje në drekë kanë qenë vajzat e emergjencave civile këtu edhe e kanë parë situatën që është shumë alarmante dhe kanë lajmëruar për çadra dhe nuk ka çadra, e kuptoni ca gjendje është. Dje ka qenë edhe drejtori i bashëkpronësisë edhe na thonë që nuk ka çadra”, i thotë ajo Gazetës Si.

Gazeta kontaktoi edhe më Bashkinë Tiranë, punonjëse të së cilës thanë se  Bashkia ka hapur pesë qendrat sociale në të gjithë qytetin për të dëmtuarit nga tërmeti. Por sa janë kapacitet e këtyre qendrave dhe a mund të ofrojnë ato strehim të përkohshëm për të dëmtuarit?.

Gazeta Si shkoi në qëndrën sociale “Të gjithë së Bashku” pranë Misto-Mames në Kombinat, ku ishin vendosur dhjetëra shtretër dhe kishin mbërritur një sërë ndihmash humanitare për t’u ofruar banorëve vaktë të plota. Punonjëset sociale të kësaj qendre na treguan se edhe në zyra ishin vendosur shtretër për banorët që u ishin dëmtuar shtëpitë, por pavarëisht kësaj, kjo qendër më dy salla dhe tre zyra të vogla duket se e ka të pamundur të strehojë të gjithë qytetarët në nevojë.

Irisi, një nga drejtueset e kësaj qendre tregon se prej katër netësh në këtë qendër e kalojnë natën rreth 90 persona që kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre. Por numri i banorëve të prekur nga tërmeti në zonën e Kombinatit është shumë më i madh. Në këto kushte, disa banorë detyrohen ta kalojnë natën në lokale, makina, sheshe, apo edhe më keq, në shtëpitë e dëmtuara, duke rrezikuar kështu jetën.

Ndërkohë Gazeta Si mëson nga grupet e gatshme në terren se nëpër fshtrat rreth zonës së Kombinatit janë rrëzuar po ashtu edhe dhjetëra shtëpi. Në Pezë janë shembur pesë shtëpi, dhe shkolla e Pezës, në Grecë janë dëmtuar katër banesa, në Zhulje dy banesa, në Pinetë një banesë, në shtatin Shesh dy banesa dhe në Kërcukë dy banesa.

Por ku do të strehohen të gjithë këta banorë dhe çfarë do të ndodhë me shtëpitë e tyre?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë