Futboll

Lukaku-Juve mbyllet për pak orë, Vlahoviç te Çelsi dhe Balogun drejt Interit

Gazeta Si – Pas një jave ‘të ngrirë’, duket shumë afër mbyllja e operacionit që çon sulmuesin belg në Torino. Londinezët hidhen në sulm për Vlahoviç, kurse Interi kërkon me ngulm amerikanin e Arsenalit.

Që Lukaku dhe Alegri flasin vazhdimisht në telefon nuk është një sekret për askënd. Ka ndodhur pas finales së Championsit, kur trajneri juventin përfitoi nga humori i prishur i belgut, pasi kishte humbur vendin e titullarit tek Interi. Alegri menjëherë nisi tentativën për ta shtyrë drejt Juventusit.

Lukaku me fanellen e Interit. Gazeta Si, 6 gusht 2023

‘Corriere dello Sport’ shpjegon se kontaktet mes të dyve kanë vazhduar gjatë turneut amerikan të Juventusit. Ka pasur edhe një telefonatë të fundit, që duket se e ka shtyrë përfundimisht ‘Big Rom’ drejt Torinos. Vullneti i sulmuesit për të veshur fanellën bardhezi nuk vihet në diskutim.

Në këtë situatë duhet bindur klubi që ka në pronësi kartonin e Lukakut, Çelsi. Duhet rritur oferta për të mbyllur shkëmbimin torturues Lukaku-Vlahoviç. Sipas gazetës italiane, në fillim të javës do të ketë edhe një telefonatë mes Londrës dhe Torinos për të rakorduar edhe për detajet e fundit të këtij shkëmbimi.

Çelsi kërkon sulmuesin serb dhe mund të afrojë 40 milionë euro, plus kartonin e Lukakut, që është gati të zbarkojë në Itali. Kalimi i bujshëm në Torino i ish-idhullit interist duket vetëm një çështje orësh.

Balogun, sulmuesi qe Interi e ka perparesi tashme. Gazeta Si, 6 gusht 2023

Interi ndërkohë vazhdon kërkimet për një sulmues dhe tashmë prioritet është Balogun, amerikani i Arsenalit. Pasi ka humbur Skamakën, që zgjodhi Atalantën, dhe braktisi pistën ‘Morata’, klubi zikaltër është gati t’i ofrojë 35 milionë euro Arsenalit për sulmuesin në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë