Futboll

Lukaku drejt ‘divorcit’ të dytë, Interi po studion zëvendësuesit e belgut

Gazeta Si – Klubi zikaltër i konsideron shumë 20 milionë eurot e investuara në 2022-23-shin mes huazimit nga Çelsi dhe pagës së futbollistit. Drejtuesit po vlerësojnë sulmuesit me parametra zero Firmino dhe Turam, ose blerjen e Reteguit.

Sezoni i Interit, kur jemi në mes të prillit, është ende i paqartë, por klubi ka detyrimin të programojë të ardhmen. Dhe Interi i së ardhmes do të jetë pa Romelu Lukakun. Belgu, sipas të gjitha gjasave, do kthehet te Çelsi, sepse i përfundon huazimi.

Romelu Lukaku. Gazeta Si, 17 prill 2023

Klubi i Zhang nuk ka në plan ta zgjatë huazimin, sepse 20 milionë eurot e shpenzuara për të nuk kanë shkuar në sintoni me paraqitjen e sulmuesit. Arsyetimi të çon në një tjetër lloj investimi, një karton si pasuri, vlera e të cilit mund të rritet me kalimin e kohës.

Vendimi është marrë, vetëm ndonjë mbyllje e jashtëzakonshme e sezonit nga Lukaku mund të ndryshojë planet. Sulmuesi nuk është në qendër të projektit teknik. Në këtë histori ka ndikimin e vet edhe dëmtimi i gjatë para Botërorit. Interi ka nevojë t’i bëjë llogaritë sot, edhe pa e ditur në cilin kompeticion europian do luajë sezonin e ardhshëm.

Interi nuk mund të përsërisë gabimin që beri me Dibalan verën e kaluar, ka nevojë të rritë vlerën e kartonit të lojtarëve që ka në pronësi dhe jo të lojtarëve në pronësi të klubeve të tjera.

Pyetja më normale në këtë situatë është: kush do ta zëvendësojë Lukakun? Interi po studion merkaton, ka marrë informacion për Roberto Firminon, që do të largohet nga Liverpuli. Përveç Interit, për të interesohen edhe disa klube spanjolle.

Sulmuesi brazilian, Roberto Firmino. Gazeta Si, 17 prill 2023

Nuk ndryshon shumë situata me Markus Turam, tjetër lojtar që del i lirë në verë dhe që Interi e ndjek prej gati dy vitesh. Klubi zikaltër ka takuar agjentët e tij dhe gara është e komplikuar. Po ashtu, Interi po ndjek edhe pistën e Mateo Reteguit, sulmuesit të ri të Italisë. Për të duhen 18 milionë euro.

Ka edhe një profil tjetër sulmuesi që klubi zikaltër po e monitoron, belgu Lois Openda, 23 vjeç. Këtë sezon me Lensin ai ka realizuar 15 gola në 31 ndeshje. Interi kërkon të ndryshojë krejtësisht fytyrën e sulmit, pasi edhe Lautaro Martinez nuk është më ai i mëparshmi. Xheko nuk shënon në kampionat prej 4 janarit dhe Korrea vërshëllehet sapo prek topin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë