Atletja shqiptare, Luiza Gega, është kualifikuar me lehtësi për në finalen e së dielës, në Kampionatin Europian të Atletikës, që po zhvillohet prej disa ditësh në Gjermani, në Berlin. Gega bënte pjesë në baterinë e dytë, ku zuri vendin e dytë, duke regjistruar kohën 9 minuta, 33 sekonda e 11 të qindtat. Kjo ishte edhe koha e dytë më e mirë për të gjithë bateritë kualifikuese dhe do të thotë se atletja shqiptare ka shanse për të marrë medalje në finalen e datës 12 gusht në Berlin. Finalja është shumë shpejt dhe Gega duhet të rikuperojë energjitë për të pretenduar maksimumin në finalen.
Luiza Gega garon në disiplinën e 3000 metrave me pengesa dhe është gati për një tjetër sukses në karrierën e saj. Shpresat e Shqipërisë për medalje në këtë eveniment janë tek ajo, pasi atleti i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, e ka përfunduar garimin dhe nuk ia doli të futej në zonën e medaljeve. Ai akuzoi për manipulim të rezultatit në finale, duke pretenduar se ka kërcyer më shumë se sa i është dhënë nga juria. Smajlaj dhe Gega jaë dy përfaqësuesit e vetëm të Shqipërisë në Europianin e Berlinit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.