Motosport

Luis Hamilton, kampion bote për herë të 6-të

Piloti anglez, Luis Hamilton, feston titullin e 6-të kampion bote me vendin e dytë në “Çmimin e Madh të Austin” në Amerikë, ku fitoi shoku i skuadrës, Botas. Në vend të tretë doli Vershtapen, kurse për Ferrarin kjo garë shkoi keq.

I pari shkoi në finish Botas, por pas garës është kurorëzuar kampion bote Luis Hamilton. Anglezi triumfon në kampionat për herë të 6-të në karrierë, më mirë se Juan Manuel Fangio dhe një titull më pak se Mikel Shumaker. Që Hamilton është mes më të mëdhenjve të historisë së Formulës 1, dihej prej kohësh, por tashmë ai i sheh të gjithë nga një pozicion më i lartë dhe për më tepër nuk njeh kufij. Fundi për të është ende larg.

Renditja e pilotëve pas garës së Amerikës. Gazeta Si, 4 nëntor 2019

Strategjia e Mercedesit ishte e ndryshme për dy pilotët, me Botasin që hyn dy herë në bokse, ashtu si dhe Vershtapen që ka shkëlqyer me të njëjtën taktikë, ndërsa Luis Hamilton u ndal vetëm një herë. Në fund, festë e madhe në skuderinë Mercedes, me pilotin filnadez që fiton garën dhe anglezin që fiton titullin kampion bote. Krejt e kundërta për skuderinë e Ferrarit, që këtë herë bëri një garë pa ngjyra. Leklerk zuri vendin e 4-t, ndërsa për gjermanin Fetel shkoi më keq, pasi u tërhoq për një problem.

Botas shfrytëzoi në mënyrën më të mirë momentin kyç të nisjes, duke marrë kryesimin në kthesën e parë. Vershtapen dogji Fetelin dhe më pas edhe Leklerk me një duel të fortë që shkoi deri në një prekje të lehtë mes dy makinave. Pas garës, festë dhe duartrokitje për Hamiltonin, një pilot i jashtëzakonshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë