Politike

Luigi Di Maio, ministri më i ri Jashtëm i Italisë së pas luftës

Italia ka tanimë ministrin e Jashtëm më të ri në historinë e saj, Luigi Di Maion, një figurë sa e pëlqyer aq edhe e kritikuar. Kreu i Lëvizjes Pesë Yjet ka marrë tanimë drejtimin e diplomacisë në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës, edhe pse nuk ka pothuajse asnjë eksperiencë në këtë fushë.

Pamja e tij djaloshare duket se fsheh një njeri kokëfortë: 33-vjeçari ishte zëvëndës kryeministër në qeverinë në largim dhe kishte kërcënuar t’i jepte fund marrëveshjes me Partinë Demokratike nese largohej nga ky post. Por pas një sërë bisedimesh, ai u bind për të pranuar rolin “trofe” të ministrit të Jashtëm të vendit fqinj.

Ndërkohë që kabineti është betuar zyrtarisht të enjten, ai do të jetë ministri më i ri i jashtëm në historinë e pasluftës në Itali.

Ndërkohë që mbante portofolin e Ministrisë Italiane të Financave gjatë koalicionit me Matteo Salvini, Di Maio do të falënderonte publikisht Shqipërinë pas marrjes së 20 nga 150 emigrantëve afrikanë të bllokuar për ditë me radhë në brigjet e Sicilisë vitin e kaluar, pasi autoritetet italiane ndaluan ankorimin e anijes me të cilën po udhëtonin.

"Në fund të fundit, pas 4 ditësh, ne kemi arritur të kemi të paktën solidaritetin dhe mbështetjen e vendeve si Shqipëria, e cila vazhdon përpjekjet për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por që është më evropiane se shumë prej vendeve që janë tashmë pjesë e unionit" , tha Di Maio në një konferencë. Këto deklarata janë ndër të paktat herë kur Ministri i ri i Jashtëm i vendit fqinj, por mund të cilësohen si një sinjal se Di Maio do të jetë një mbështetës i fortë i anëtarësimit të vendit tonë në BE.

Luigi Di Maio, Gazeta Si, 5 shtator 2019

Di Maio e udhëhoqi partinë e tij drejt një suksesi mahnitës zgjedhor vitin e kaluar, duke e kthyer në një nga forcat më të fuqishme në skenën politike të Italisë, për të nënshkruar më pas një aleancë për të qeverisur me Lega Nord.

Gatishmëria e të riut napolitan për të bashkuar në një shtrat partinë e tij dhe PD-në, të cilën Lëvizja Pesë Yjet ka kaluar vite duke kritikuar egërsisht, ka bërë që kritikët ta akuzojnë atë për vendosjen e pushtetit para parimeve politike.

Me formimin e qeverisë së tij të dytë, ai dhe kryeministri Giuseppe Conte kanë përfunduar tanimë një manovër e cila është e pashembullt në historinë e Republikës Italiane. Por bashkëpunimi i koalicionit të ri, pro-Europian u minua disi nga deklaratat publike të Di Maios se nuk do të pendohej për asgjë të bërë gjatë 14 muajve të koalicionit me Lega Nord.

Si ministër i Jashtëm, Di Maio deklaroi se do të përqendrohet veçanërisht në Afrikë, çështjen e emigracionit dhe raportin e Italisë me ekonomitë në zhvillim.

Emërimi i tij u prit me reagime të përziera në Itali, me disa përdorues të rrjeteve sociale që shkruanin se Di Maio nuk fliste asnjë fjalë anglisht.

Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio, Gazeta Si, 5 shtator 2019

Sfida e tij e parë si kreu i diplomacisë italiane duket se e pret në Francën fqinje, ku nuk është më i mirëpritur nga qeveria e presidentit francez Emmanuel Macron për shkak të takimeve me “jelekverdhët" në shkurt të vitit të kaluar.

Zgjedhja e Di Maio si drejtues i Pesë Yjet në vitin 2017 paraqiti një ndryshim të rëndësishëm për këtë lëvizje. I riu nga Jugu e filloi karrierën politike si një dishepull i Grillo, por u acarua gjithnjë e më shumë nga përpjekjet e komedianit për të drejtuar Pesë Yjet nga prapaskena.

Di Maio ka qënë pjesë e kësaj lëvizjeje që nga krijimi i saj në vitin 2009, duke bërë fushatë kundër korrupsionit dhe Bashkimit Europian dhe duke kërkuar transparencë politike dhe demokraci të drejtpërdrejtë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2013, Pesë Yjet morën mbështetje të fuqishme elektorale dhe Di Maio, që atëherë ishte vetëm 26 vjeç, ishte në mesin e 108 kandidatëve të saj si i zgjedhur në Dhomën e Deputetëve, dhoma e ulët e parlamentit italian. Një muaj më vonë ai u bë nënkryetari më i ri i kësaj dhome në historinë italiane.

Luigi Di Maio, Gazeta Si, 5 shtator 2019

Ngritja e shpejtë e tij në strukturat e partisë bëri që shumë komentues ta cilësonin zgjedhjen e tij si një shfaqje të organizuar nga Grillo.

"A po zgjidhet Di Maio për shkak të asaj që përfaqëson apo për shkak të gatishmërisë së tij për t’iu bindur urdhrave?", do të pyeste gazeta La Stampa në atë kohë.

Të tjerët vunë në dyshim parimet dhe arritjet e tij politike, duke e akuzuar atë si një “krijim hibrid” të Grillos dhe këshilltarëve të tij.

"Di Maio u krijua për të qënë një figurë më e moderuar dhe më i qendrueshëm se Grillos”, thotë gazetari italian, Jacopo Iacoboni

Di Maio është kritikuar vazhdimisht për leksikun e tij të varfër, por ka arritur të marrë vota në shumë rajone të Italisë jugore, pasi është parë gjithnjë si përfaqësuesi më besnikë i Jugut.

Ndryshe nga ish-shefi i tij, Luigi Di Maio shfaqet më i qetë politikisht.

“Ne nuk duam një Itali populiste, ekstremiste apo anti-europiane” –është shprehur Di Maio.

Luigi Di Maio, Gazeta Si, 5 shtator 2019

“Ai është shumë popullor tek mbështetësit e partisë së tij, dhe forca e Di Maios qëndron pikërisht tek të qenit krejtësisht ndryshe nga Beppe Grillo, si në stilin e komunikimit, ashtu edhe të pamjes” , u shpreh Alberto Castelvecchi, professor në Universitetin Luiss të Romës.

Por me ardhjen e tij në pushtet, italianët në përgjithësi u tërhoqën më shumë nga figura e një politikani të fortë, si Matteo Salvini, i cili e tejkaloi shpejt Di Maio falë mesazheve kundër BE-së dhe emigrantëve.

Partia e Di Maio ra aq shumë në sondazhe sa marrëveshja e saj me PD u konsiderua si një përpjekje për të shmangur votimet që mund të ishin potencialisht katastrofike.

Ministri i ri i jashtëm i Italisë lindi në 6 korrik 1986 në një familje të shtresës së mesme në Avellino afër Napolit. Babai i tij Antonio kishte një biznes të vogël ndërtimi dhe ishte një aktivist për partinë neo-fashiste, Lëvizja Sociale Italiane, ndërsa nëna e tij Paola ishte një mësuese në shkollës .

Si më i madhi i tre fëmijëve, Di Maio studioi inxhinieri kompjuterike në Universitetin e Napolit dhe më vonë nisi studimet për juridik, por nuk i përfundoi kurrë.
Sipas një CV-je të postuar në faqen e internetit të Pesë Yjeve, ai themeloi më pas një biznes të tijin në internet, të cilin do ta braktise më vonë për tu përfshirë në politikë dhe për t’u bërë në moshë fare të re një nga figurat më të njohura në skenën politike të vendit fqinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë