Kompania ajrore gjermane Lufthansa tha se është e prirur që të ketë përparime në negociatat lidhur me pagat, pasi sindikata e punonjësve i kushtëzoi kërkesat me shmangien e grevave të tjera.
“Kemi ndjekur me kujdes deklaratat e sindikatës Verdi dhe vazhdojmë të mbetemi të interesuar për një marrëveshje të shpejtë”, tha zëdhënësi i kompanisë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Punonjësit e aeroporteve të kompanisë Lufthansa u hodhën në grevë të martën duke bllokuar punën në aeroportet më të mëdha. Ky është rasti i dytë këtë muaj që mungesa e punonjësve në detyrë kanë ndikuar tek planet e udhëtimit për 100 mijë pasagjerë, sipas Lufthansës.
Takimi i parë lidhur me mosmarrëveshjet për pagat e më shumë se 25 mijë punonjësve përfundoi pa rezultat të enjten. Takimet e ardhshme ishin njoftuar se mund të mbaheshin në datat 13 ose 14 mars.
Por sindikata tha të shtunën se po kërkonte një takim përpara këtij afati me qëllim përshpejtimin e një marrëveshjeje
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.