Motosport

Luftë e hapur mes rivalëve, Mercedesi kërkon rishikimin e duelit Vershtapen-Hemilton

Gara e fortë e titullit e ka ndezur edhe më shumë luftën mes Mercedesit dhe Red Bull-it. Mercedesi ka kaluar së fundi në kundërsulm dhe po përgatit një betejë me Red Bull-in edhe jashtë piste.

Skuderia nga Brackley ka vendosur të bëjë një ankimim për rishikimin të duelit mes Ljuis Hemilton dhe Maks Vershtapen gjatë garës së Brazilit. Fjala është për atë duel shumë të diskutuar rrotë më rrotë në fillim të xhiros së 48-të, ku holandezi duket se e zgjeron trajektoren në kthesën 4 për të shtyrë jashtë piste rivalin dhe për të zbehur tentativën e tij për parakalim.

Për këtë rast komisarët e garës vendosën të mos ndërhyjnë me asnjë ndëshkim. Të martën Formula 1 ka publikuar pamje të reja të atij dueli, që sipas Mercedesit, evidentojnë shkeljet e pilotit holandez të Red Bull-it.

Në një Botëror të destinuar për t’u vendosur në frymën e fundit, ku çdo pikë ka rëndësi, skuderia anglo-gjermane ka menduar të luajë edhe këtë kartë, duke dashur të marrë hak për penalitetin ndaj Hemiltonit, për shkeljen që u raportua te komisarët e garës pikërisht nga Red Bull-i.

Ljuis Hemilton e fitoi gjithsesi Çmimin e Madh të Brazilit, por gjatë fundjavës nuk munguan polemikat nga dy drejtuesit kryesorë të dy skuderive, Toto Volf dhe Kris Horner. Kuptohet që tashmë është një luftë e hapur dhe sfida spostohet në Katar, në episodin e radhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë