Njerez

“Luftë” brezash edhe për pagesat online

Nga Julie Jargon - Kur Oliver Hick ndihmoi familjen e tij për të rregulluar oborrin gjatë verës së kaluar, babai i tij e shpërbleu me 50 dollarë. Oliveri që në atë kohë ishte një 15-vjeçar shumë i informuar mbi teknologjinë, i tha se nuk donte para në dorë (Cash), por që t’ia dërgonte në llogarinë e tij personale dhe për këtë mund të shkarkonte një aplikacion në telefonin e tij.
Babai i tij i tha “Çfarë do të thuash? Ke 50 dollarë përpara teje dhe nuk do t’i marrësh?”, kujton Oliveri, tashmë 20 vjeç. Ai studion në Kolegjin Swarthmore në Pensivlani, për informatikë dhe si shumë të rinj preferon komoditetin e një kulete digjitale, përpara parave fizike edhe nëse do t’i duhet kohë për të marrë para. Njerëzit shpesh përdorin shërbime pagese, nëpër celularë nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme si Venmo, Cash App e PayPal, për t’u dërguar para miqve ose familjarëve, qoftë edhe si dhuratë. Por, ndërsa të rinjtë janë mësuar me këtë, prindërit dhe gjyshërit po detyrohen të bashkohen dhe të harrojnë dhuratat që bënin më përpara si babagjyshat.
“Unë gjithnjë kam menduar se paraja është mbret dhe përshtatur me idetë e të rinjve, por përfundimisht mendoj se kjo është pak e tepruar,” thotë Jono, babai i Oliver, një menaxher shitjesh për një markë të veshjeve sportive.

Jono mund të duhet të mësohet me të, pasi shumë të rinj në kohët moderne, po përdorin më shumë transaksionet bankare, madje ka shumë biznese që funksionojnë vetëm me kalimin e parave direkt në llogari.
Paratë mund të mbahen në aplikacione dhe aplikacionet mund të lidhen me llogari debiti, ose bankë në mënyrë që paratë të mund të zhvendosen lehtësisht. Njerëzit mund të bëjnë një sërë blerjesh përmes këtyre aplikacioneve.
Ndërkohë, që kjo zhvendosje e parave ka ngjallur shumë debate në familjen Hicks, anëtarët e moshuar të familjes më së shumti shqetësohen për sigurinë dhe rreziqet e intimitetit për transferimin e parave përmes aplikacioneve. Gjatë një darke familjare, gjyshja e Oliverit, Becy Hicks e pyeti nipin e saj përse ajo donte të paguante shërbimet për kujdesin e qenit të saj me para në dorë, ndërsa kompania nuk pranonte.
Ndryshe nga ajo, mamaja e Oliverit, Stefania ka arritur të përshtatet më shpejt me këtë mënyrë pagese. Ajo i dërgon para Oliverit nëpërmjet aplikacionit Cash App, për të paguar kursin e matematikës, dy herë në javë dhe për të mbuluar shpenzimet e nevojave të ndryshme, për aq kohë sa është në kolegj.
Por Susan Levin, gjyshja tjetër e Oliverit, ende u jep nipërve të saj para në dorë për ditëlindjet e tyre ose për Krishtlindje. Oliver tregon se vitin e kaluar ajo krijoi një lojë me kuti druri, ku në disa kishte futur para dhe nipërit e saj duhet të zgjidhnin kutinë e duhur. Ajo tha se në asnjë mënyrë nuk do të përdorë një aplikacion për të dërguar para.

"Unë nuk përdor karta krediti dhe ndihem rehat kur kam para në duar. Nëse do të dilja nga shtëpia pa portofolin tim, do ndjehesha sikur po humbas kontrollin,” shprehet ajo.
Ndryshe nga gjyshet e tij Oliver shprehet se nuk është më i shqetësuar, për rreziqet që lidhen me transferimin e parave brenda dhe jashtë një aplikacioni.
“Ne e dimë shumë mirë se sa të rrezikshme janë rrjetet sociale dhe përsëri kemi llogari të ndryshme të rrjeteve sociale. Kështu që, ajo çfarë është e thënë të ndodh do të ndodh, por shanset për të grabitur nëpërmjet llogarive bankare, tashmë është ulur ndjeshëm,” shprehet ai.
Ky argument nuk mjafton për të bindur babin e Oliverit.
“Edhe kur të jem plak, e të qëndroj vetëm në karrigen lëkundëse, nuk do t’i harroj paratë e letrës, as të rinjtë nuk duhet ta bëjnë,” shprehet Jono./The Wall Street Journal/
*Julie është një shkrimtare e cila merret më së shumti me ndikimin e teknologjisë në jetën familjare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë